kor132021
ISHP: Te ne qarkullojnë mutacione të coronavirusit. Pritet konfirmimi nga Berlini nëse janë Delta
Instituti i Shëndetit Publik pranon se në Shqipëri po qarkullojnë mutacione të coronavirusit, por pritet të konfirmohet nga laboratori i referencës në Berlin nëse janë Delta apo mutacione të tjera. Koordinatorja e survejancës laboratorike në ISHP, Iris Hatibi, deklaron se në mostrat që testohen çdo natë, ndonëse ka një numër të vogël njerëzish që rezultojnë pozitivë me Covid-19, ka ndërmjet tyre mostra që janë ndryshe dhe që kanë tregues për prani të mutacioneve në vendin tonë. "Pritet të na vijnë përgjigjet nga Berlini në mënyrë që t'i deklarojmë publikisht nëse është Delta apo janë mutacione të tjera të rëndësishme", shprehet zonja Hatibi.
Një ditë më parë, mediat publikuan rastin e një personi që kishte udhëtuar nga Britania në Shqipëri me simptoma të lehta, por pa e ditur që ishte me Covid. Ai kishte bërë testin para se të nisej dhe një ditë më pas i kishte mbërritur përgjigjja nga laboratori anglez, se ishte pozitiv me Delta. Ai ka respektuar protokollin duke u karantinuar dhe ka njoftuar autoritetet tona shëndetësore të cilat kanë testuar kontaktet e tij më të afërta.
Alma Demiraj