News

nën222022

Tuberkulozi nuk është zhdukur. Prof. dr. Silvana Bala: Mos neglizhoni simptomat, këtë vit u diagnostikuan 450 raste të reja

Në Shqipëri ka ende të sëmurë me tuberkuloz. Dy vite pandemi sollën një rrudhje të shifrave, por mesa duket kjo nuk ishte reale, pasi pacientët nuk u paraqitën në spital dhe neglizhuan simptomat. Në Spitalin Universitar "Shefqet Ndroqi" sipas mjekëve vetëm këtë vit janë diagnostikuar 450 raste të reja me tuberkuloz, ndërsa gjatë pandemisë rastet vjetore ranë me gati 40% thonë mjekët. Ajo që është më shqetësuese, thonë mjekët, është fakti se përveç moshave të rritura, sëmundja e tuberkulozit po prek edhe moshat e reja.

"Pandemia pati një ngurtësim të pacientëve në qendrën kombëtare të sëmundjeve respiratore, por stabilizimi i situatës solli një rritje të rasteve të pacientëve qoftë të sëmurëve me kancer pulmoni qoftë dhe të sëmurëve me tuberkuloz. Ne kemi hasur tuberkuloz edhe në moshat e reja, për faktin se vetë largimi i popullatës për të punuar në vende jashtë apo jetesa që kanë bërë në kushtet e një komuniteti ka rritur rastet. Vijnë shumë emigrantë të cilët kanë tuberkuloz, janë moshë e re dhe nuk kanë treguar kujdes në vendin që ata kanë shkuar për të punuar", thekson mjekja pneumologe prof. dr. Silvana Bala.

Drejtoresha e ish-sanatoriumit thekson se një pacient me tuberkuloz mund të ndiqet edhe nga mjeku i familjes, këtë e tregoi edhe pandemia.

"Rregulli i përcaktimit të skemës së tuberkulozit nuk mund të prishet në asnjë mënyrë. Një pacient i cili diagnostikohet, është i detyruar infermieri i dispanserisë të shkojë në shtëpi të kontrollojë dhe të ndjekë mënyrën e trajtimit, sa i rregullt është ai në trajtimin e tuberkulozit", thekson mjekja Silvana Bala.

Tuberkulozi është një sëmundje që parandalohet, trajtohet dhe shërohet. Mjekët specialistë thonë se vaksinimi që bëhet në ditët e para të lindjes së një fëmije ka ulur ndjeshëm rastet në Shqipëri.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>