News

mar292023

Alergjitë e stinës. Prof. dr. Mehmet Hoxha: Është zgjatur periudha e tyre dhe simptomat janë më agresive

Me ardhjen e pranverës dhe çeljen e luleve, alergjitë ndaj poleneve janë shndërruar në epidemi. Mjekët alergologë thonë se pandemia e Covid-19, por edhe kushtet klimatike kanë ndikuar jo vetëm në zgjatjen e periudhës së alergjive, por edhe në agresivitetin e simptomave që shkaktojnë. Ndryshe nga vite më parë tani alergjitë prekin çdo grupmoshë.

"Shifrat janë të frikshme jo vetëm te ne, por edhe në vende të tjera. 1 në 4 adultë preken nga alergjitë dhe janë pothuajse 20% e të rinjve të prekur. Këto janë shifrat më të fundit të CDC", shprehet shefi i shërbimit të alergologjisë prof. Mehmet Hoxha.

Alergjitë më parë fillonin në muajin prill, por mjekët alergologë thonë se është zgjatur si periudha e fillimit, ashtu edhe ajo e përfundimit të tyre.

"Nëse më parë alergjitë nga polenet fillonin në prill, tani ka avancuar në dy javët e marsit dhe simptomat nuk janë më thjesht skuqje hunde, kruarje, teshtimë apo lotim, por prekin dhe rrugët e poshtme respiratore duke shkaktuar deri dhe astmë apo kriza të forta për të cilat nuk mjafton vetëm të shkosh në farmaci për një qetësues, por duhet ndjekur te mjeku alergolog", shprehet prof. Hoxha.

Mjekët alergologë shpjegojnë se nuk janë vetëm polenet e luleve ato që shkaktojnë alergjitë, pasi ndikojnë edhe një sërë faktorësh ambientalë.

"Në rritjen e numrit të alergjive dhe në agresivitetin e simptomave të tyre kanë ndikuar edhe ngrohja globale, ndryshimi i kushteve klimatike dhe ndotja mjedisore", shprehet mjeku alergolog.

Për të gjithë ata që vuajnë nga alergjia në muajt mars, prill, maj, qershor, shefi i shërbimit të alergologjisë këshillon të bëhet vaksina kundër alergjisë në muajin shtator.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>