shk202019
Aktiviteti fizik i fëmijëve sipas moshës. Kur nevojitet ndërhyrja?
Krahasuar me atë çka është menduar në të kaluarën, gjatë viteve të para të jetës së fëmijës, aktiviteti fizik (PA) zvogëlohet, ndërkohë që shtohet sjellja sedentare. Anasjellas, aktiviteti fizik nga i moderuar në i fortë (MVPA) mbetet relativisht i qëndrueshëm deri në moshën 8-vjeçare dhe nis të bjerë në moshën 11-vjeçare, duke e identifikuar këtë periudhë si një moment thelbësor për ndërhyrje të mundshme strukturore. Këtë e shpjegon Veit Grote (Spitali "Von Hauner", Gjermani), koordinatore e një studimi të publikuar në "Pediatrics".
Një shtim gradual i sjelljes sedentare dhe rënia e aktivitetit fizik, janë të lidhura ngushtë me shfaqjen e mëtejshme të shumë sëmundjeve të patransmetueshme në të gjithë botën. Variacione të tilla janë përshkruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë: fëmijët në moshë parashkollore duhet të akumulojnë të paktën 180 minuta aktivitet fizik në ditë, fëmijët dhe adoleshentët (4-17 vjeç) të paktën 60 minuta në ditë dhe të rriturit, të paktën 30 minuta aktivitet fizik të moderuar/të fortë në ditë
"Supozohet që aktiviteti fizik të pakësohet gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, por ekzistojnë pak studime afatgjata që studiojnë zhvillimin e aktivitetit fizik në këtë periudhë të jetës", shkruajnë autorët, që për t'u thelluar në këtë çështje, kanë vlerësuar për pesë vjet aktivitetin fizik dhe sjelljen sedentare të 600 fëmijëve që kanë marrë pjesë në "Childhood Obesity Project", duke përdorur akselerometrin "Armband SenseWear2" në moshat 6, 8 dhe 11 vjeç.
Rezultatet kanë treguar se aktiviteti fizik i përgjithshëm bie dukshëm me moshën, me një reduktim të plotë prej -75,3 minutash në ditë nga 6 deri në 11 vjeç. Në të njëjtën mënyrë, aktiviteti fizik i lehtë dhe ai i moderuar/i fortë bien respektivisht me 44,6 dhe 30,7 minuta në ditë me një rënie më të madhe te djemtë, në krahasim me vajzat, përballë një shtimi të dukshëm të sjelljes sedentare, baras me +107 minuta.
"Duke vëzhguar nivelet e intensitetit të aktivitetit të përgjithshëm fizik, ai i moderuar/i fortë, shfaq një rënie të kosiderueshme pas moshës 8-vjeçare, duke sugjeruar nevojën e ndërhyrjeve të synuara në këtë periudhë të veçantë të jetës së fëmijës", përfundon Grote.
Pediatrics. 2018. doi: 10.1542/peds.2018-0994
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30509928