pri112019
Shumë terapi pediatrike mund të evitohen. Studiuesit tregojnë se cilat...
Abuzimi me terapitë mjekësore në fushën pediatrike, vazhdon të jetë një problem, por, sipas një rishikimi të literaturës botuar në "JAMA Pediatrics", gjërat po përmirësohen. "Rezultatet tona bazohen në dhjetë artikuj hulumtues origjinalë shumë cilësorë, të botuar në vitin 2017", shpjegon Eric Coon (Universiteti i Utahut), emri kryesor i studimit. Ndër argumentet e trajtuara, kërkuesit raportojnë se rreth 8% e fëmijëve që vijnë në dhomat e urgjencës me dhimbje akute të barkut, diagnostikohen me apendicit akut, që menaxhohet kryesisht me apendektomi.
Megjithatë, dy metaanaliza kanë arritur në përfundimin se trajtimi jo kirurgjik me antibiotikë mund të konsiderohet një strategji e mirë fillestare terapeutike për fëmijët me apendicit të pakomplikuar, duke reduktuar kështu rreziqet që lidhen me kirurgjinë dhe anestezinë e përgjithshme. Duke ndryshuar temë, disa studime kanë treguar se amitriptilina dhe topiramati, dy ilaçet parandaluese më të zakonshme për migrenën pediatrike, nuk janë më efektive sesa placeboja.
Dhe, lista e trajtimeve me përdorim të dyshimtë vazhdon me antibiotikët profilaktikë të cilët, ndonëse modestisht efektivë në parandalimin e infeksioneve urinare të vazhdueshme, nuk parandalojnë dëmtimin e veshkave. Autorët pastaj tërheqin vëmendjen në lidhje me përdorimin gjithnjë e më të gjerë të antibiotikëve me spektër të gjerë për infeksionet akute bakteriale të traktit respirator, ndërkohë që një studim ka zbuluar se këta antibiotikë nuk kanë përfitim shtesë terapeutik, madje për më tepër, mund të jenë të lidhur me ngjarje të shumta negative. Një studim retrospektiv multicentrik mbi pothuajse 24,000 të mbijetuar nga kanceri, tregoi se ndryshimet në regjimet terapeutike gjatë viteve, sidomos reduktimi i radioterapisë, kanë zvogëluar rrezikun pasues të sëmundjeve malinje.
Sa iu përket më të vegjëlve, një rishikim sistematik zbuloi se administrimi më pak invaziv i surfaktantëve te foshnjat e parakohshme, nëpërmjet kateterit të hollë pa intubacion endotrakeal, ka rezulltuar e lidhur me rezultate më të mira. Studime të tjera të pranishme në rishikim kanë sugjeruar që anestezia për ndërhyrje të vogla mund të menaxhohet në mënyrë më të sigurt me një maskë laringu, se kontrolli i rreptë glicemik nuk është i dobishëm në trajtimin e fëmijëve me sëmundje serioze dhe hiperglicemi dhe se doza të larta të acidit docosahexaenoic te foshnjat e parakohshme, jo vetëm që nuk e reduktojnë displazinë bronkopulmonare, por edhe mund ta rrisin atë.
JAMA Pediatr. 2019. doi: 10.1001/jamapediatrics.2018.5550
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30776069