Pediatri

mar302020

Coronavirusi prek fëmijët, por me efekte më pak serioze nëse nuk janë shumë të vegjël. Studimi

Sipas një studimi epidemiologjik të realizuar në Kinë dhe të botuar në "Pediatrics", sëmundja e shkaktuar nga coronavirusi i ri, prek fëmijët e të gjitha moshave, me efekte përgjithësisht të buta ose të moderuara, por më të rënda, nëse fëmija nuk e ka mbushur ende një vit jetë.
"Që nga fillimi i epidemisë, numri i rasteve pediatrike në Kinë është rritur me shpejtësi në janar dhe është ulur ngadalë në shkurt. Nga 16 janari deri në 8 shkurt 2020, Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve identifikoi infeksionin Covid-19 në 2,143 fëmijë të grupmoshës 1 ditë deri në 18 vjeç", thotë Yuanyuan Dong, nga Universiteti i Mjekësisë "Jiao Tong", në Shangai, autori kryesor i studimit.

Nga këta fëmijë, me moshë mesatare 7-vjeçare dhe 57% meshkuj, 731 janë diagnostikuar me infeksionin Sars-CoV-2 të konfirmuar në laborator përmes acidit nukleik dhe 1,412 kishin sëmundje të dyshuar, bazuar në simptomat klinike, nga rezultatet laboratorike ose të dyja. Koha mesatare nga fillimi i sëmundjes deri në diagnostikim ishte dy ditë dhe rreth 50% e fëmijëve jetonin në Vuhan, provinca Hubei.
Analizat e të dhënave treguan se 4% e fëmijëve mbetën asimptomatikë dhe 90% kishin sëmundje të lehtë ose të moderuar. Nga fëmijët e mbetur, 5% kishin sëmundje të rëndë, me saturim oksigjeni më të ulët se 92% dhe 0.6% e tyre (33 raste), kanë shfaqur sëmundje kritike, me simptoma të stresit respirator akut ose insuficiencë respiratore dhe ndoshta mosfunksionim të organeve të tjera. Është verifikuar një vdekje, ajo e një djali 14 vjeç, por incidenca më e lartë e sëmundjes së rëndë ose kritike, 11%, ka ndodhur te fëmijët nën moshën 1 vjeç.

Në një editorial shoqërues, Andrea Cruz, nga Kolegji i Mjekësisë "Baylor", në Hjuston dhe Steven Zeichner, nga Universiteti i Virxhinias, nënvizojnë rëndësinë e studimit, i cili nxjerr në pah nëngrupimet me rrezik më të madh për sëmundje të rënda dhe vështirësitë e lidhura me përcaktimin e rrezikut për sëmundje serioze te fëmijët, por edhe rolin që mund të luajnë fëmijët në transmetimin e Covid-19 dhe si mund ta bëjnë këtë, nga një këndvështrim oral-fekal dhe respirator.

 

Pediatrics 2020. Doi: 10.1542/peds.2020-0702
https://doi.org/10.1542/peds.2020-0702 

Pediatrics 2020. Doi: 10.1542/peds.2020-0834
https://doi.org/10.1542/peds.2020-0834


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>