Focus

dhj32020

Mbyllja e shkollës gjatë pandemisë Coronavirus 2019 (COVID-19). A është efektive ndërhyrja në nivelin global?

Në shumicën e vendeve, përpjekjet për të reduktuar qarkullimin e sindromës së rëndë akute respiratore coronavirus 2 (SARS-CoV-2) dhe zhvillimin e sëmundjes së re të coronavirusit 2019 (COVID-19) janë bazuar kryesisht në masa kufizuese, duke përfshirë shmangien e ndërveprimeve shoqërore, ndalimin e lëvizjeve brenda territorit kombëtar dhe mbylljen e të gjitha aktiviteteve jo-thelbësore, duke përfshirë shkollat. Ndërkohë që mbyllja e fabrikave dhe shmangia e ndërveprimeve të tjera shoqërore së bashku me larjen e duhur të duarve mbeten masat më të mira për të lehtësuar barrën e përgjithshme të COVID-19, dobia që vjen nga mbylljes së shkollës mbetet për t'u diskutuar.

 

Mbyllja e shkollës, më shumë efekte negative, sesa pozitive

Ka shumë të ngjarë që arsyeja më e rëndësishme që çoi qeveritë në mbylljen e shkollave ishte dëshmia se futja e hershme e kësaj mase kufizuese kishte qenë efektive në uljen e niveleve të incidencës së gripit dhe problemeve klinike, sociale dhe ekonomike të lidhura me të, gjatë shpërthimeve sezonale dhe pandemike të gripit. Sidoqoftë, nuk është aspak e sigurt që të njëjtat avantazhe mund të priten në rastin e pandemisë COVID-19. Madje, ka mundësi që mbyllja e shkollës të ketë efekte negative dhe të çojë në probleme më të mëdha mjekësore, ekonomike dhe sociale. Studimet e modeleve tregojnë se mbyllja e shkollës mund të jetë efektive për kontrollin e infeksionit vetëm kur shpërthimet vijnë për shkak të viruseve me transmetueshmëri të ulët dhe kur nivelet e sulmit janë më të larta te fëmijët sesa te të rriturit. Kjo vlen për viruset e gripit dhe infeksionin e këtij të fundit, por nuk duket e vlefshme për coronaviruset (përfshirë SARS-CoV-2), të cilat kanë dinamikë të ndryshme transmetimi, ose për COVID-19, që prek kryesisht të rriturit dhe të moshuarit. Është llogaritur që numri i pritur i rasteve të krijuara drejtpërdrejt nga 1 rast i infeksionit SARS-CoV-2 (R0) është i lartë dhe jo më i ulët se 2.5. Për më tepër, fëmijët nën 10 vjeç përbëjnë vetëm 1% të rasteve me COVID-19 dhe megjithëse një numër i caktuar i tyre mund të përjetojnë një infeksion asimptomatik, numri i përgjithshëm i fëmijëve me infeksion SARS-CoV-2 duket më i ulët nga ç'pritej.

 

Një ndërhyrje me efikasitet të ulët

Megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare, me aq sa dimë në lidhje me efektivitetin e mbylljes së shkollës gjatë epidemisë COVID-19, rëndësia e dobët e kësaj mase kufizuese duket se konfirmohet nga provat se në Tajvan, përhapja e COVID-19 u minimizua pa u mbyllur shkollat. Efekti i dobët i mbylljes së shkollës gjatë epidemive të coronavirusit është dëshmuar tashmë në disa studime të kryera gjatë epidemisë SARS. Në Kinë, mbyllja e shkollës për 2 muaj nuk pati efikasitet domethënës për parandalimin e sëmundjes kryesisht për shkak të incidencës shumë të ulët të sëmundjes simptomatike midis fëmijëve të moshës shkollore. Për më tepër, në Tajvan, u evidentua se rreziku i transmetimit të infeksionit midis fëmijëve në një klasë ishte shumë i ulët, me një R0 më pak se 1, duke nënvizuar qartë se mbyllja e shkollës mund të ishte lehtësisht efektive.
Në një rishikim sistematik të vitit 2020, Viner et al treguan se nuk ka të dhëna për kontributin relativ të mbylljes së shkollës në kontrollin e transmetimit të SARS-CoV-2. Të dhënat nga shpërthimi i SARS-it në territorin e Kinës, Hong Kong dhe Singapor sugjerojnë që mbylljet e shkollave nuk kontribuan në kontrollin e epidemisë. Studimet e fundit të modelit të COVID-19 nga Mbretëria e Bashkuar duke përdorur të dhëna nga Vuhani, parashikuan që mbyllja e shkollës do të parandalonte vetëm 2% deri në 4% të vdekjeve, shumë më pak se ndërhyrjet e tjera distancuese sociale.

 

Pasojat ekonomike, shëndetësore dhe në fushën e mjekësisë

Ndërsa efikasiteti i mbylljes së shkollës është i diskutueshëm, nuk mund të injorohen pasojat e mundshme negative të kësaj mase. Disa pasoja kanë të bëjnë me familjen. Për t'u kujdesur për fëmijët më të vegjël kur çerdhet dhe shkollat janë të mbyllura, prindërit duhet të qëndrojnë në shtëpi, me pasoja të pashmangshme ekonomike. Për më tepër, kur prindërit janë punonjës të kujdesit shëndetësor, kjo mund të ketë efektet e saj në fushën e mjekësisë. Në SHBA, është llogaritur që mungesa në punë e 15% të punonjësve të kujdesit shëndetësor mund të shoqërohet me një rritje të konsiderueshme të vdekshmërisë COVID-19.
Nëse prindërit duhet të punojnë dhe gjyshërit duhet të bëhen kujdestarët kryesorë të fëmijëve, rreziku rritet ndjeshëm që këta persona, të cilët janë në vetvete më të rrezikuarit për sëmundje të rëndë, mund të infektohen dhe kjo është ajo që ndodhi në Itali në 2 javët e para kur u vendos mbyllja e shkollës, por aktivitetet e tjera të punës nuk u ndaluan. Për më tepër, mbyllja e shkollës mund të nxisë thellimin e pabarazive sociale, ekonomike dhe shëndetësore, veçanërisht në vendet me të ardhura të kufizuara. Në vendet ku ndodhi epidemia e Ebolës në vitet 2014-2016, mbyllja e shkollës u shoqërua me rritje të punës së fëmijëve, dhunë dhe probleme socio-ekonomike.

 

Efektet dytësore të mësimit në distancë

Së fundi, mësimi në distancë përmes teknologjive dixhitale që është planifikuar nga disa vende për të zëvendësuar shkollën tradicionale, mund të të jetë i vështirë të zbatohet edhe në disa vende të industrializuara. Në Itali, një sondazh i vitit 2015 i kryer nga Instituti Kombëtar i Statistikave tregoi se në zonat më të varfra të vendit, 41% e familjeve nuk kishin tablet ose kompjuter dhe se midis familjeve me të paktën 1 fëmijë, vetëm 14.3 % mund të garantonin mësimin në distancë. Kjo do të thotë që një grup i rëndësishëm fëmijësh mund të mbeten thelbësisht të privuar jo vetëm nga të mësuarit, por edhe nga çdo formë e socializimit me bashkëmoshatarët dhe me botën që i rrethon. Të gjitha këto kufizime shpjegojnë pse disa ekspertë sugjerojnë që avantazhet e mundshme të mbylljes së shkollës, nëse ka, duhet të ekuilibrohen duke patur parasysh efektet anësore dytësore. Në vend të mbylljes së plotë të shkollës, mund të zbatohen strategjitë alternative për të përmbajtur transmetimin, të tilla si zvogëlimi i madhësisë së klasës, distanca fizike dhe favorizimi i higjienës.

 

Sa e besueshme është procedura e testeve serologjike?

Një problem tjetër i rëndësishëm, por i pazgjidhur që lidhet në mënyrë rigoroze me mbylljen e shkollës është se si dhe kur mund të rihapet shkolla. Gjatë shpërthimeve të gripit, rihapja është shoqëruar me rrezikun e ringjalljes së epidemisë. Zgjidhja më e mirë për pandeminë COVID-19 nuk dihet. Është sugjeruar që fëmijët që rezultojnë pozitivë në testet serologjike që identifikojnë IgG kundër SARS-CoV-2 mund të pranohen në shkollë. Supozohet se pozitiviteti mund të lejojë identifikimin e fëmijëve të cilët tashmë janë infektuar, që mund të konsiderohen të mbrojtur dhe mund të ndjekin shkollën pa paraqitur rreziqe për fëmijët e tjerë. Sidoqoftë, përdorimi i kësaj procedure kritikohet ashpër. Ndjeshmëria e testeve aktualisht të disponueshme të antitrupave është nënoptimale. Shumica e fëmijëve kanë një infeksion asimptomatik dhe duke qenë se përgjigjja imune ndaj infeksionit SARS-CoV-2 është më e madhe, sa më serioze të jetë sëmundja, duket se shumica e fëmijëve do të kenë një titër të ulët të antitrupave që është jo i duhuri për të patur pozitivitet në teste me ndjeshmëri relativisht të ulët.
Për më tepër, edhe kur maten nivelet e IgG, nuk është e mundur të thuhet nëse fëmijët mbrohen ose se sa mund të zgjasë mbrojtja. Niveli mbrojtës i antitrupave dhe përgjigjja imune dytësore ndaj SARS-CoV-2 nuk dihen. Të marrë së bashku, këta faktorë duket se tregojnë se shumica e fëmijëve me pozitivitet të IgG nuk mund të identifikohen dhe, edhe nëse identifikohen, nuk mund të konsiderohen të mbrojtur për një kohë të gjatë. Në shkollë duhet të ndiqen kritere të tjera, të tilla si mbajtja sistematike e maskave me disa mësime mbi këtë çështje dhe mbi të gjitha masat higjienike për parandalimin e COVID-19, kontrolli me matje të temperaturës, ose mbyllja e klasave me nxënës të infektuar.

 

Autore:
Susanna Esposito, MD, Klinika Pediatrike, Spitali i Fëmijëve "Pietro Barilla", Universiteti i Parmës

Burimi:
Jama Pediatrics

Përshtati në shqip:
Blerina Çizmja


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>