sht302022
Gjumi i pakët mund të ndikojë negativisht në zhvillimin konjitiv të fëmijëve
Te fëmijët e moshës shkollore që flenë më pak se nëntë orë në natë, janë vënë re dallime domethënëse në disa rajone të trurit të cilat janë përgjegjëse për: kujtesën, inteligjencën dhe mirëqenien krahasuar me fëmijët që flenë 9 deri në 12 orë në natë. Me fjalë të tjera, këto dallime lidhen me një frekuencë më të lartë të çrregullimeve të shëndetit mendor si: depresioni, ankthi dhe sjelljet impulsive, si dhe vështirësi konjitive në lidhje me kujtesën, zgjidhjen e problemeve dhe vendimmarrjen.
Në këtë përfundim ka arritur një studim i kryer nga studiuesit e Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Maryland (UMSOM) në Baltimore dhe i publikuar në The Lancet Child & Adolescent Health.
"Akademia Amerikane e Mjekësisë së Gjumit rekomandon që fëmijët e moshës 6-12 vjeç duhet të flenë rregullisht për 9 deri në 12 orë për të promovuar shëndetin optimal, por deri më tani nuk ka pasur të dhëna për lidhjen ndërmjet ndikimit afatgjatë të gjumit të pamjaftueshëm dhe zhvillimit neurokonjitiv te para-adoleshentët", shpjegon autori kryesor i studimit Fan Nils Yang, i cili së bashku me kolegët e tij analizuan të dhënat e mbi 8300 fëmijëve 9-10 vjeç që morën pjesë në studimin Adolescent Brain Cognitive Development (ABCD) dhe rishikuan imazhet MRI, të dhënat mjekësore dhe anketat e plotësuara nga pjesëmarrësit dhe prindërit gjatë regjistrimit dhe ndjekjes.
Duke vepruar kështu, studiuesit zbuluan se fëmijët që nuk flinin mjaftueshëm në fillim të studimit kishin vëllime më të vogla të lëndës gri në zona të caktuara të trurit përgjegjës për vëmendjen, kujtesën dhe kontrollin e inhibimit krahasuar me ata që bënin një gjumë të shëndetshëm.
"Këto dallime ishin evidente edhe pas dy vitesh, duke sugjeruar dëmtim afatgjatë të trurit për ata që nuk flenë mjaftueshëm", shkruajnë autorët. "Këto rezultate nënvizojnë rëndësinë e kryerjes së studimeve të ardhshme afatgjata mbi trurin e foshnjës dhe provojnë se gjumi, shpesh i neglizhuar gjatë ditëve të ngarkuara plot me detyra dhe aktivitete jashtëshkollore luan një rol vendimtar për zhvillimin e duhur të trurit në fëmijëri", përfundon Yang.
The Lancet Child & Adolescent Health 2022. Doi: 10.1016/S2352-4642(22)00188-2
http://doi.org/10.1016/S2352-4642(22)00188-2