maj262023
Dhimbja e kokës te fëmijët. Në rritjen e incidencës ndikon edhe gjenetika
Sipas një rishikimi të literaturës të botuar në "Journal of Headache and Pain", te fëmijët dhe adoleshentët prevalenca e përgjithshme e cefaleas primare (migrenë dhe cefale për shkak të tensionit) është jashtëzakonisht e lartë.
"Dhimbja e kokës është manifestimi neurologjik më i zakonshëm te të rriturit dhe shkaku kryesor i paaftësisë në mbarë botën. Te fëmijët dhe adoleshentët dhimbja e kokës ka një ndikim të rëndësishëm në problemet fizike dhe psikologjike, edhe pse provat që e mbështesin këtë teori janë ende të pakta", shpjegon Agnese Onofri nga Universiteti i L'Aquila, autorja kryesore e studimit.
Për të hetuar më tej mbi këtë çështje, studiuesit vlerësuan studimet ndër-seksionale dhe grupore që trajtojnë prevalencën e dhimbjes së kokës tek individët e moshës 8-18 vjeç duke analizuar të dhënat e Embase, Medline, Web of Science dhe Cochrane për periudhën janar 1988-qershor 2022. Nga 5,486 artikujt e marrë në konsideratë, vetëm 48 prej tyre i plotësuan kriteret e përfshirjes. Ekspertët vunë në dukje se prevalenca e cefaleas primare ishte 11% për migrenën në përgjithësi, 8% për migrenën pa aurë (MwoA), 3% për migrenën me aurë (MwA) dhe 17% për cefalean tensive (TTH). Prevalenca e përgjithshme e cefaleas primare te fëmijët dhe adoleshentët ishte 62%, konkretisht te femrat 38% dhe te meshkujt 27%. Pas eliminimit së studimeve të klasifikuar si me cilësi të ulët, normat e prevalencës nuk ndryshuan, edhe pse mungonin të dhënat epidemiologjike për dhimbjet primare më pak të zakonshme, të tilla si dhimbjet e kokës autonome trigeminale dhe kishte një heterogjenitet të konsiderueshëm midis studimeve të shqyrtuara.
"Fëmija që vjen në klinikë dhe diagnostikohet me migrenë, shumë shpesh ka një histori familjare, ndaj ne mendojmë se predispozita gjenetike ndikon në të paktën gjysmën e rasteve. Por, ndikojnë edhe problemet e shkollës dhe mbingarkesa me aktivitete, veçanërisht sportet, apo përdorimi i tepërt i smartfonëve dhe pajisjeve inteligjente deri në orët e vona të natës. Për këtë arsye do të ishte e dobishme të ndërhyhej fillimisht në mënyrën e jetesës së fëmijës, kur është e mundur", përfundon Onofri.
Journal of Headache and Pain 2023. Doi: 10.1186/s10194-023-01541-0
https://doi.org/10.1186/s10194-023-01541-0