shk222024
Përpilohet lista e simptomave kryesore të long Covidit pediatrik
Një ekip ekspertësh, drejtuar nga King's College në Londër, në bashkëpunim me OBSH dhe Fondacionin Poliklinik Universitar Agostino Gemelli Irccs në Romë, kanë përpiluar një listë të simptomave kryesore të long Covidit pediatrik dhe mjeteve me të cilat maten ato. Studimi u publikua në European Respiratory Journal.
Kjo është një përpjekje harmonizimi global për të grumbulluar të dhëna në mënyrë homogjene dhe për të shpejtuar përparimin e njohjes dhe përcaktimit të strategjive më të mira të ndërhyrjes për long Covid te fëmijët dhe të rinjtë. Pjesa më e madhe e kërkimeve të kryera deri tani për long Covid ishte fokusuar te të rriturit, ndërsa studimet e moshës pediatrike janë më të pakta në numër. Kjo është arsyeja pse prevalenca reale e sindromës në moshë pediatrike dhe në adoleshencë është praktikisht e panjohur. "Megjithatë - theksojnë ekspertët - kjo nuk do të thotë se vetë sindroma mund të sjellë një barrë të konsiderueshme për pacientët dhe për shërbimet shëndetësore".
Kërkimi ka përcaktuar një bashkësi karakteristikash kryesore (Core Outcome Set - COS) dhe masash të lidhura me to (Core Outcome Measurement Set - COMS) për vlerësimin e long Covid te fëmijët dhe të rriturit. Ekspertët që kanë krijuar këto "udhëzime përdorimi", rekomandojnë që ato të përdoren edhe në kërkime që do të kryhen në të ardhmen për të njëtrajtësuar gjuhën dhe metodologjinë e punës me qëllim për të përshpejtuar të kuptuarit dhe zhvillimin e trajtimeve "të bazuara në evidenca" për long Covid. "Përdorimi i një 'gjuhe' shkencore të përbashkët nëpër botë shton vlerat e të dhënave të grumbulluara, duke mundësuar që të krahasohen në mënyrë homogjene midis tyre dhe të krahasohen rezultatet e studimeve të ndryshme, që më pas të krijohen udhëzimet", pohojnë autorët.
Përsa i përket matjes së shenjave dhe simptomave të vazhdueshme në zona të caktuara, studiuesit kanë zgjedhur ato që mund të përdoren në mënyrë universale, edhe në vendet me të ardhura të ulëta. Ekspertët specifikuan mjete të vlefshme matjeje vetëm për 4 fusha (lodhje dhe rraskapitje, simptoma gastrointestinale, funksionim neurokonjitiv, funksionim fizik), ndërsa po punohet ende për të përcaktuar mjetet më të mira për tre fushat e mbetura.
"Qendra jonë ishte e para që dokumentoi se edhe fëmijët dhe adoleshentët mund të preken nga long Covid dhe ne nxorëm në pah evidencat e para shkencore, të cilat tregojnë se këta fëmijë kanë ndryshime imunologjike, vaskulare dhe të sistemit autonom, që i dallojnë ata nga pacientët e shëruar, ose nga kontrollet e shëndetshme. Me këtë analizë ndërkombëtare, së bashku me ekspertë dhe përfaqësues të pacientëve dhe familjeve, ne kemi përcaktuar rezultatet kryesore që na japin mundësi t'i standardizojmë studimet tona në nivel global. Kjo do të na lejojë të ndajmë rastet e studimit dhe ta kuptojmë më mirë këtë gjendje, e cila shkakton një përkeqësim serioz të cilësisë së jetës së njerëzve të prekur prej saj", shpjegon eksperti Danilo Buonsenso.