pri62015
Duhanpirja pasive dëmton shëndetin kardiovaskular të fëmijëve në moshë madhore
Sipas përfundimit të një studimi të publikuar tek "Circulation" revista zyrtare e "American heart association", fëmijët të cilët janë ekspozuar ndaj tymit të duhanit të prindërve kanë një mundësi më të lartë për të zhvilluar sëmundje kardiake në moshë madhore në krahasim me ata të cilët nuk janë ekspozuar. " Rezultatet e këtij studimi i shtojnë një element të rëndësishëm faktit se ekspozimi ndaj tymit të duhanit ka efekt shumë negativ tek fëmijët kur ata arrijnë moshën madhore-, thotë Costan Magnussen, professor epidemologjie kardiovaskulare tek (Research centre of applied and preventive cardiovascular medicine) në Universitetin "Turku" në Finlandë, duke shpjeguar se dihet tashmë prej kohësh se fëmijët e ekspozuar ndaj tymit të duhanit kanë një shëndet kardiovaskular më të dobët se ata të cilët nuk janë ekspozuar. Për të patur një ide më të qartë mbi dëmet afatgjata të tymit të duhanit tek fëmijët e duhanpirësve, kërkuesit kanë vëzhguar gjatë kohës pjesmarrësit tek studimi "Cardiovascular risk in young Finns" një testim grupi i zhvilluar për një periudhë 25 vjeçare tek i cili kanë marrë pjesë fëmijët të cilët janë ekspozuar ndaj tymit të duhanit gjatë fëmijërisë nga viti 1980 deri në 1983. Autorët e studimit kanë kryer matjet e një treguesi ndaj ekspozimit pasiv të tymit të duhanit i cili quhet "kotininë" e cila është ruajtur në kampione serumesh të ngrira që nga mosha foshnjore, si dhe kanë bërë disa ekografi karotide në moshë madhore në vitin 2001 dhe në vitin 2007 për verifikuar praninë dhe përmasat e pllakës aterosklerotike si matës të dëmit kardiovaskular. Nga të dhënat e përfituara del se përqindja e fëmijëve me nivele kotinine jo të dallueshme ishte më e lartë tek familjet në të cilat asnjëri prej prindërve nuk pinte duhan ose më saktësisht 84%. Fëmijët me kotininë jo të dallueshme ishin më të paktë në numër nëse vetëm njëri nga prindërit pinte duhan (62%) dhe përqindja ulej deri në masën 43% në ato familje në të cilat që të dy prindërit pinin duhan. "Pavarësisht faktorëve të tjerë, rreziku për të zhvilluar pllaka karotide në moshë madhore ishte më i lartë tek ata fëmijë të cilët kishin një osë të dy prindërit duhanpirës-, vazhdon më tej Magnussen duke theksuar se rreziku mbetej i lartë edhe nëse prindërit mundoheshin të kufizonin ekspozimin e fëmijëve të tyre ndaj tymit të duhanit. Sipas rrezultateve rreziku për të zhvilluar pllaka karotide ishte dy herë më i lartë tek ata fëmijë, pindërit e të cilëve mundoheshin të kufizonin ekspozimin ndaj duhanit dhe katër herë më i lartë tek ata të cilët nuk kufizonin ekspozimin. "Edhe pse nuk është e mundur të caktohet me saktësi se kotinina e dallueshme në gjakun e pjesmarrësve tek studimi mund të ishte rezultat direkt i ekspozimit të tymit pasiv të prindërve, dimë me siguri se burimi kryesor i duhanpirjes pasive tek fëmijët ndodhet në shtëpi-, thekson autori duke shtuar se - "përtej rekomandimit për të mos pirë duhan, për të garantuar shëndetin kardiovaskular afatgjatë të fëmijëve, prindërit të cilët pinë duhan duhet të reduktojnë sa më shumë te jetë e mundur ekspozimin e fëmijëve ndaj tymit të duhanit, domethënë të mos pimë duhan në shtëpi ose në makinë dhe kur pimë duhan ta pijmë sa më larg fëmijëve të jetë e mundur-, përfundon Magnussen.
Circulation. 2015 Mar 23. pii: CIRCULATIONAHA.114.013485