qer302015
Në operacionet jo kardiake beta-bllokuesit nuk indikohen kur nuk ka risk kardiovaskular
Në kirurgjinë jo kardiake, beta-bllokuesit të përshkruar në periudhën para operacionit lidhen me një rrezik më të lartë vdekshmërie te pacientët pa faktorë risku kardiovaskular. Nga ana tjetër, duket se reduktojnë vdekshmërinë te pacientët me këta faktorë risku. "Përdorimi i beta bllokuesve në periudhën peri-operative ka rezultuar shumë i dobishëm në kardiokirurgji, por mbetet ende i diskutueshëm te subjektet jo kardiokirurgjikë", shpjegon Mark Friedell nga "University of Missouri-Kansas city school of medicine".
Friedell bashkë me kolegët ka vlerësuar në mënyrë retrospektive 326.500 pacientë të operuar, jo në zemër, të cilëve u janë përshkruar beta-bllokues. "Studimi ynë tregon për herë të parë një rritje të rrezikut te individët të cilët u janë nënshtruar procedurave jo-kardiokirurgjike, pa faktorë të riskut kardiak", pohon Dr. Friedell. Ai thekson se deri para pak kohësh beta-bllokuesit ishin gjerësisht të rekomanduar edhe në kirurgji jo kardiake mbi bazën e përfitimeve të njohura mes pacientëve me kardiokirurgjikë.
Kërkuesi citon dy studime që kanë vlerësuar përdorimin e beta-bllokuesve në kirurgji jo kardiake: të dy studimet kanë treguar se përshkrimi i tyre është i dobishëm te pacientët me faktorë rrezikshmërie kardiovaskulare, por nga studimi më i fundit i publikuar në vitin 2013, ekziston mundësia e shkaktimit të dëmeve te ata që nuk kanë faktorë rrezikshmërie. "Ky përfundim të sjell te studimi ynë", shpjegon Friedell duke rikujtuar se në vitin 2009 "American heart association (Aha)" dhe "American college of cardiology (Acc)" rekomandonin që të përdoreshin beta-bllokuesit në kirurgji jo kardiake, por jo në ditën e ndërhyrjes, vetëm te pacientët që ishin në trajtim me to. Vitin e kaluar task-forca "Aha/Acc on Practice management" publikoi një rishikim sistematik duke dalë në përfundimin se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të mbështetur fillimin e një trajtimi me beta-bllokues, dy ose më shumë ditë, para një ndërhyrjeje jo kardiake. "Beta-bllokuesit peri-operatore kanë indikime të qarta, por mesa duket nuk duhen përdorur te pacientët pa risqe kardiake që presin t'i nënshtrohen një ndërhyrje jo-kardiokirurgjike", përfundon Friedell.
JAMA Surg. 2015. doi: 10.1001/jamasurg.2015.86