sht262018
Imazheria kardiake. Vihet në punë teknika e re për diagnozën e shpejtë
Një studim i publikuar në "Journal of the American Heart Association" propozon një protokoll të ri imazherie, që mund të diagnostikojë shpejt dhe me kosto të ulët sëmundjet kardiovaskulare. James Moon dhe kolegët e Qendrës së Zemrës "Barts" në Londër, kanë zhvilluar dhe testuar një version të shpejtë të imazhit kardiak të rezonancës magnetike (CMR) i cili mund të diagnostikojë sëmundjen e zemrës në 18 minuta me një kosto prej 150 dollarësh për pacient. Studimi sugjeron implementimin e kësaj teknike në Peru, ku nga këto sëmundje është prekur 16% e popullsisë së rritur.
"Protokolli ynë CMR jo vetëm që është tre deri në pesë herë më i lirë se teknikat CMR aktuale të përdorura në Peru, por gjithashtu mund të bëhet 2-3 herë më shpejt dhe në mënyrë të thjeshtuar krahasuar me CMR-në konvencionale", thonë autorët, të cilët në studimin e vlefshmërisë së procedurës së re kanë kryer skanime të 98 pacientëve peruanë, mosha mesatare 52 vjeç, 60% e të cilëve ishin femra. Duke vepruar kështu, ata zbuluan se 26% e subjekteve kishin një kardiomiopati hipertrofike, 22% kardiomiopati të dilatuar dhe 15%, kardiomiopati ishemike. Gjithashtu janë diagnostikuar edhe 12 sëmundje të tjera, përfshirë tumoret, sëmundjet e lindura të zemrës, pllakat amiloide, sindromat gjenetike dhe sëmundjet valvulare.
"CMR-ja e shpejtë ka përmbushur pritshmëritë në aspektin e imazhierisë te 89% e pacientëve dhe në 7% e rasteve, ku ka qenë e para që është përdorur, nuk ishin të nevojshme hetime të tjera jo invazive për të vendosur diagnozën", ka thënë Moon-i. Më tej, ai ka shtuar: "Mungesa e burimeve nuk justifikon mungesën e testeve kryesore diagnostikuese në vendet në zhvillim dhe një protokoll i shpejtë i CMR-së mund të zbatohet në aktivitetin klinik duke sjellë përmirësime të rëndësishme në menaxhimin e pacientit".
Në një koment të tijin, Christopher Kramer (Universiteti i Virxhinias) vëren: "Për të bërë të mundur që teknika, e cila është objekt i këtij studimi validues, të bëhet realitet në shumicën e botës në zhvillim, operatorët duhet të trajnohen me teknologjinë e duhur. Vetëm në këtë mënyrë, do të jetë i mundur implementimi i procedurës së re në studimin e kardiomiopative".
JAHA 2018. Doi: 10.1161/JAHA.118.008981
https://www.ahajournals.org/doi/10.1161/JAHA.118.008981
JAHA 2018. Doi: 10.1161/JAHA.118.010435
https://www.ahajournals.org/doi/10.1161/JAHA.118.010435