pri32019
Udhëzime të reja për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Jo, përdorimit të përgjithësuar të ASA-s
Kolegji Amerikan i Kardiologjisë (ACC), në bashkëpunim me Shoqatën Amerikane të Zemrës (AHA), ka publikuar në "Journal of the American College of Cardiology" dhe në "Circulation" udhëzime të reja në lidhje me kurën parandaluese të sëmundjeve kardiovaskulare, mes të cilave sëmundjet kardiake dhe iktusi.
Udhëzimet 2019, që janë prezantuar në kongresin vjetor të ACC-së në Nju Orleans, u japin mjekëve rekomandime kyç në lidhje me dietën e pacientit, mbi përdorimin e duhanit dhe menaxhimin e faktorëve të rrezikut.
"Thuajse një vdekje në tre, në SHBA, ndodh për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare. Ngjarjet e kundërta kardiovaskulare madhore, potencialisht fatale (MACE) shkaktohen nga një sërë faktorësh, mes të cilëve, një stil jete jo i shëndetshëm, mungesa e aktivitetit fizik, mbipesha apo obeziteti, përdorimi i duhanit dhe komorbiditete të tilla, siç është diabeti i tipit 2. Udhëzimet ofrojnë standardet klinike për gjithë këta faktorë, përveçse rekomandime për vlerësimin, testet diagnostikuese dhe asistencën, si farmakologjike, ashtu edhe procedurale", shpjegon Donna Arnett, e cila ka udhëhequr komisionin. Por, udhëzimet këshillojnë një kufizim të dukshëm të përdorimit të ASA-s në parandalimin e infarkteve dhe iktuseve, duke e rezervuar përdorimin e barit vetëm për ata që kanë rrezik më të lartë kardiovaskular dhe rrezik më të ulët për hemorragji.
Dokumenti është kategorikisht kundër përdorimit të ASA-s mbi moshën 70-vjeçare dhe tek ata që kanë një rrezik të madh për hemorragji, siç janë pacientët me sëmundje kronike të veshkave ose trombocitopeni. Dokumenti thekson se metformina është vija e parë e trajtimit për pacientët me diabet të tipit 2 dhe faktorë të tjerë të rrezikut kardiovaskular.
Megjithatë, ekspertët thonë se mund të merren në konsideratë edhe barnat antagoniste të GLP-1R dhe inhibitorët e SGLT-2, si ndihmëse në reduktimin e rrezikut kardiovaskular. Për më tepër, sipas dokumentit, të rriturit duhet të synojnë të praktikojnë së paku 150 minuta aktivitet fizik të moderuar ose 75 minuta aktivitet fizik të fuqishëm në javë, në përputhje me atë që tashmë është theksuar në udhëzimin e mëparshëm. Statinat rekomandohen së bashku me ndryshimet e stilit të jetesës te pacientët me nivele të larta të LDL-së 190 mg/dL ose më shumë, diabet të tipit 2 ose faktorë të tjerë të rrezikut kardiovaskular.
Circulation. 2019. doi: 10.1161/CIR.0000000000000678
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30879355