Kardiologji

maj72019

Sëmundjet kardiovaskulare. Gjysma e pacientëve që marrin statina, nuk kanë rezultatet e pritshme

Rreth gjysma e njerëzve në terapi me statina, nuk arrijnë dot një reduktim optimal të kolesterolit LDL dhe për pasojë, përballen me një rrezik më të madh për të patur sëmundje kardiovaskulare. Ky është përfundimi i një studimi të botuar në revistën "Heart". Ralph Kwame Akyea (Universiteti i Notingamit) dhe kolegët, kanë analizuar të dhënat e rreth 165,400 pacientëve në Britani, që janë trajtuar me statina dhe që nuk kanë patur sëmundje kardiovaskulare në kohën e fillimit të terapisë (në periudhën 1990-2016).

Rezultatet tregojnë se 51.2% e pacientëve nuk arritën të kishin një reduktim prej të paktën 40% të kolesterolit LDL, siç rekomandohet nga udhëzimet britanike, brenda 2 viteve pas fillimit të terapisë. Për këta pacientë, rreziku i zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare (të tilla si koronaropatitë, iktusi, sëmundja vaskulare periferike) ka qenë më i madh gjatë 6 viteve të ndjekjes, krahasuar me ata te të cilët kolesteroli LDL kishte rënë në nivele optimale; norma e aksidenteve kardiovaskulare ka qenë 22.6 për 1,000 vite/njerëz te pacientët me një përgjigje nën optimale ndaj terapisë, krahasuar me 19.7 tek ata me përgjigje optimale.
Hulumtuesit vunë re një ndryshim te pacientët në aspektin e fuqisë në statinat e përshkruara fillimisht. Statinat me fuqi të mesme në fillim të terapisë iu përshkruan më shumë pacientëve që arritën përgjigje optimale, ndërsa një përqindje më e lartë e pacientëve me përgjigje nën optimale morën statina me fuqi të ulët.

"Këto rezultate kontribuojnë në debatin mbi efektivitetin e terapisë së statinave dhe theksojnë nevojën për mjekësi të personalizuar në menaxhimin e lipideve", tha Akyea, duke kujtuar se aktualisht, nuk ka strategji në praktikën klinike që marrin parasysh ndryshueshmërinë në përgjigjen ndaj statinave. Autorët argumentojnë se janë të nevojshme instrumente klinike të validuara në mënyrë që të parashikojnë përgjigjen e kolesterolit ndaj statinave dhe udhëzimet që i ndihmojnë mjekët të përshtatin dhe të përmirësojnë terapinë për secilin pacient.


Heart. 2019 doi: 10.1136/heartjnl-2018-314253.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30988003.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>