shk152023
Hiperkolesterolemia. Zbulohet mekanizmi molekular përgjegjës
Proteina PCSK9 është çelësi i mekanizmit molekular që rregullon kolesterolin "e keq" (LDL) duke e rritur atë nëse është "hiperaktiv". Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në "Molecular Metabolism", me autore kyesore Lidia Ciccone nga Universiteti i Pizës.
Zbulimi i PCSK9 në vitin 2003 dhe implikimi i saj në rregullimin e LDLc përfaqëson një pikë kthese për zhvillimin e trajtimeve më efektive për hiperkolesteroleminë dhe sëmundjet kardiovaskulare që lidhen me të. Trajtimet aktuale që kombinojnë statinat me antitrupa monoklonalë siRNA të injektuar në mënyrë nënlëkurore sjellin një reduktim shtesë prej 50-60% të LDLc-së që qarkullon në gjak, krahasuar me atë të arritur vetëm nga statinat.
Siç shpjegohet nga studimi, nëse proteina PCSK9 është hiperaktive, ajo i degradon receptorët LDLR shumë shpejt. Për këtë arsye, terapitë konvencionale me statina nuk janë shumë efektive. Në këto raste, trajtimi më i mirë është frenimi i funksionit të proteinës PCSK9 ose ulja e nivelit të saj në gjak. Gjë e cila parandalon degradimin e receptorëve LDLR duke arritur kështu të ulë kolesterolin e keq me më shumë se 60% në krahasim me qasjen tradicionale farmakologjike.
Zbulimi, thonë studiuesit, do të ndihmojë në përmirësimin e trajtimit për sëmundjet kardiovaskulare dhe disa lloje të kancerit.
"Shumica e rasteve të hiperkolesterolemisë familjare shoqërohen me mosfunksionim të receptorit të lipoproteinës me densitet të ulët (LDLR) i cili është përgjegjës për kapjen e kolesterolit të keq nga qarkullimi i gjakut dhe drejtimin e tij kryesisht në qelizat e mëlçisë. Rastet më të rralla janë lidhen me një ndryshim të proteinës PCSK9", shpjegon Ciccone.
"Kërkimi ynë ndihmon për të kuptuar mekanizmin me anë të të cilit proteina PCSK9 drejton receptorët LDLR në lizozome, ku qelizat shpërbëhen dhe riciklohen, kjo hap rrugë të reja për trajtimin e hiperkolesterolemisë rezistente ndaj barnave konvencionale dhe vë në provë mekanizmat molekularë të lidhur me sëmundjet kardiovaskulare dhe disa lloje kanceri", përfundojnë autorët.