jan212020
Sëmundjet kardiake. Gjumi rigjenerues mund të reduktojë ndjeshmërinë gjenetike
Një studim i botuar në "European Heart Journal", ka arritur në përfundimin se gjumi i shëndetshëm dhe i rregullt mund të zvogëlojë rrezikun e lartë gjenetik për sëmundje të zemrës dhe iktus.
"Ne kemi analizuar variacionet gjenike të njohura si SNP, një akronim për polimorfizmon me nukleotid të vetëm, të lidhura me zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe iktusit, duke marrë mostra gjaku nga mbi 385,000 pjesëmarrës të shëndetshëm në projektin Biobank, Britani e Madhe", shkruajnë autorët, të cilët më pas llogaritën rrezikun kardiovaskular duke e ndarë atë në të lartë, mesatar dhe të ulët. Pjesëmarrësit u ndoqën për një mesatare prej 8.5 vjetësh, gjatë të cilave pati 7,280 raste me sëmundje të zemrës ose iktus.
"Në krahasim me ata që flinin keq, pjesëmarrësit me higjienë të mirë të gjumit kishin një rrezik 34% më të vogël për sëmundje të zemrës dhe iktus", thotë autori, duke shtuar se të kesh higjienë të mirë gjumi, do të thotë të flesh 7-8 orë gjatë natës pa probleme pagjumësie, gërhitje apo përgjumje gjatë ditës. Duke shqyrtuar efektin e kombinuar të gjumit dhe ndjeshmërinë gjenetike në sëmundjet kardiovaskulare, studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit me rrezik të lartë gjenetik dhe gjumë jo të mirë, rrezikoheshin më shumë për sëmundje të zemrës dhe iktus, përkatësisht 2,5 dhe 1,5 herë më shumë, në krahasim me ata që bënin gjumë të shëndetshëm dhe rrezik të ulët gjenetik.
"Kemi vënë re gjithashtu se higjiena e mirë e gjumit kompenson një rrezik të lartë gjenetik: ata që kanë një rrezik të lartë gjenetik, nëse kanë higjienë të mirë gjumi, kanë një rrezik kardiopatish dhe iktusi 2,1 dhe 1,3 herë më të madh sesa ata që flenë mirë dhe kanë rrezik të ulët gjenetik", shpjegojnë studiuesit. «Duhet mbajtur mend se këto të dhëna, të mbledhura si pjesë e një studimi vëzhgues, tregojnë vetëm një lidhje dhe jo një marrëdhënie shkakësore. Sidoqoftë, rezultatet tona jo vetëm që mund të motivojnë kërkime në të ardhmen, por sugjerojnë gjithashtu rëndësinë e gjumit kur merret parasysh rreziku individual për sëmundje të zemrës ose iktus", përfundon Lu Qi, drejtor i Qendrës së Hulumtimit të Obezitetit në Universitetin Tulane në Nju Orleans, i cili ka udhëhequr studimin.
European Heart Journal 2019. Doi: 10.1093/eurheartj/ehz849
https://doi.org/10.1093/eurheartj/ehz849