kor72020
Shtriqja pasive e këmbëve mund të përmirësojë fluksin e gjakut në gjithë trupin
Sipas një studimi të ri të botuar në "Journal of Physiology", 12 javë shtriqje (stretching) pasive ndihmojnë në përmirësimin e fluksit të gjakut duke lehtësuar dilatimin e arterieve dhe duke reduktuar ngurtësinë e tyre. Shtriqja pasive ndryshon nga ajo aktive, pasi ajo përfshin një forcë të jashtme, e cila mund të jetë një person tjetër ose edhe graviteti, i cili shtriq muskujt e një personi dhe nuk kryhet nga vetë personi.
"Ndryshimet që kemi vërejtur në enët e gjakut mund të ndikojnë te disa sëmundje, përfshirë ato kardiake, të cilat karakterizohen nga ndryshime në kontrollin e fluksit të gjakut, për shkak të një sistemi vaskular të komprometuar", shpjegon Emiliano Cè, nga Universiteti i Milanos, bashkautor kryesor i studimit, së bashku me Angela Valentina Bisconti nga Universiteti i Utahut dhe Milanos.
Studiuesit i ndanë 39 pjesëmarrës të shëndetshëm të të dyja gjinive në dy grupe. Grupi eksperimental iu nënshtrua shtriqjes pasive të këmbëve pesë herë në javë për 12 javë, ndërsa grupi i kontrollit nuk i nënshtrohej asnjë lloj shtriqjeje. Ekspertët më pas vlerësuan efektin e shtriqjes pasive në fluksin e gjakut lokal e në pjesën e sipërme të krahut dhe zbuluan se arteriet në krahun e poshtëm dhe të sipërm të këmbës, kur stimuloheshin, tregonin shtim të rrjedhës së gjakut dhe dilatim, ashtu si edhe reduktim të ngurtësisë.
Sipas autorëve, përsëritja e këtij studimi te pacientët me sëmundje vaskulare mund të tregojë nëse kjo metodë stërvitjeje është një trajtim i ri i mundshëm pa barna, për të përmirësuar shëndetin vaskular dhe për të reduktuar rrezikun e sëmundjes, veçanërisht te njerëzit që nuk e vënë shumë trupin në lëvizje. Për më tepër, shtriqja pasive mund të përdoret gjatë shtrimit në spital ose pas operacionit, për të ruajtur shëndetin vaskular kur pacientët kanë lëvizshmëri të ulët dhe gjithashtu mund të kryhet në shtëpi nga kujdestarët ose anëtarët e familjes.
"Ky aplikim i ri i shtriqjes është veçanërisht i rëndësishëm në periudhën aktuale pandemike, në të cilën njerëzit i nënshtrohen izolimit më të madh në shtëpi, ku mundësia e kryerjes së një trajnimi të dobishëm për të përmirësuar dhe parandaluar sëmundjet e zemrës, iktusin dhe patologjitë e tjera të ngjashme është e kufizuar", përfundojnë autorët.
J Physiology 2020. Doi: 10.1113/JP279866
https://doi.org/10.1113/JP279866