mar82021
Sëmundjet kardiovaskulare te gratë. Faktorët specifikë të rrezikut
Gratë përballen me shumë rreziqe specifike përsa u përket sëmundjeve të zemrës dhe iktusit, sipas studimeve të botuara në "Journal of the American Heart Association" dedikuar Go Red for Women, një iniciativë e nisur në pranverën e vitit 2016, që financon qendrat kërkimore për të studiuar në thellësi rrezikun kardiovaskular te gratë. "Megjithëse sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjes te burrat dhe te gratë, gratë kanë më pak të ngjarë të diagnostikohen, të ndjekin kura parandaluese dhe trajtim agresiv sesa burrat", tha Barry London, nga Universiteti i Iouas, kryeredaktor i "Journal of the American Heart Association".
Punimet e qendrave kërkimore tregojnë se si gjumi i pamjaftueshëm, stili sedentar i jetës dhe komplikacionet që lidhen me shtatzëninë, mund të shtojnë te gratë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe janë faktorë të lidhur me infarktin e miokardit me arterie koronare të pabllokuara dhe insuficiencë kardiake me fraksion të ruajtur të ejektimit. Studime të mëtejshme bashkëpunuese vlerësuan marrëdhëniet midis rreziqeve për sëmundje kardiovaskulare dhe sjelljeve të ndryshme të stilit të jetesës, duke përfshirë gjatësinë e qëndrimit esëll brenda natës, ndërgjegjësimin dhe faktorët e rrezikut të sjelljes dhe të gjendjes fizike.
Kërkime të tjera janë përqendruar në profilin metabolomik të insuficiencës kardiake me fraksion të ruajtur të ejeksionit te gratë. Për shembull, studiuesit në Universitetin e Kolumbias Irving Medical Center zbuluan se cilësia e dobët e gjumit dhe rreziku i apnesë obstruktive të gjumit kanë një ndikim në presionin sistolik dhe diastolik të gjakut te gratë. Studiuesit e Universitetit të Kalifornisë në San Diego u përqendruan në të kuptuarit e faktorëve të rrezikut dhe pasojave metabolike të sjelljes sedentare midis grave me origjinë latine, duke zbuluar se koha më e lartë kumulative e qëndrimit ulur është e lidhur me bioshenjues të caktuar rreziku kardiometabolik, që mund të shtojnë rrezikun kardiovaskular. Ekspertët shpresojnë që rezultatet e gjeneruara nga nisma do të favorizojnë ndërgjegjësimin në publik dhe në fushën mjekësore, në lidhje me faktorët specifikë që ndikojnë në sëmundjen kardiovaskulare te gratë.
JAHA Spotlight: Go Red for Women 2021
https://www.ahajournals.org/journal/jaha/spotlight_go_red_for_women_2021