jan32022
Infarkti. Rreziku i shtuar gjatë festave të fundvitit. Studimi suedez
Periudha e festave të fundvitit mund të jetë shumë stresuese, veçanërisht për ata që kanë kaluar më parë një infarkt, sipas një studimi të botuar në Scandinavian Cardiovascular Journal.
Që nga viti 2018, një studim i publikuar në revistën prestigjioze BMJ e lidhte vigjiljen e krishtlindjeve me një rrezik të shtuar për infarkt, ndërsa sot, ky problem i miokardit lidhet me stresin më të madh gjatë festave.
Nëpërmjet një sondazhi statistikor, studiuesit suedezë analizuan se si ndikuan pushimet e fundvitit në gjendjen shëndetësore të pacientëve që kishin kaluar më parë infarkt miokardi (MI). Të gjithë individët që u prekën nga infarkti i miokardit gjatë festave, u identifikuan përmes regjistrit SWEDEHEART dhe iu nënshtruan një pyetësori për gjendjen e tyre shëndetësore. E njëjta gjë u bë me një grupi kontrolli me sindromën koronare kronike. Subjektet plotësuan një pyetësor në të cilin iu kërkua të vlerësonin 27 faktorë të mundshëm rreziku në lidhje me aktivitetin fizik, stresin dhe ushqimin.
Pyetësorit iu përgjigjën gjithsej 189 pacientë të prekur nga infarkti në ditët e krishtlindjeve (24, 25 dhe 26 dhjetor). Krahasuar me pacientët në grupin e kontrollit me sindromën koronare kronike, ata me infarkt përjetuan statistikisht më shumë stres (37% kundrejt 21%), depresion (21% kundrejt 11%) dhe shqetësim (26% kundrejt 10%). Përveç kësaj, aktiviteti fizik dukej se ishte ulur më shumë te njerëzit e prirur për infarkt, sesa në grupin e kontrollit. Konsumi i ushqimeve dhe ëmbëlsirave u rrit në të dyja grupet. Nuk pati shtim të grindjeve, zemërimit, shqetësimeve ekonomike ose rënie të pajtueshmërisë me barnat në asnjërën kategori.
Duke analizuar këto të dhëna, studiuesit shpresojnë që mjekët të mund të kërkojnë mënyra për të parandaluar stresin, në mënyrë që të ulin rrezikun e infarktit gjatë pushimeve.