sht82022
Dremitjet gjatë ditës janë të lidhura me një rrezik të shtuar për hipertension
Sipas një studimi të publikuar në Hypertension, një dremitje me baza të rregullta ditore shoqërohet me një rrezik më të lartë për hipertension, por edhe për iktus.
Studimi u krye në një kampion prej rreth 350,000 njerëz të moshës 40-69 vjeç të rekrutuar në Biobank, Britani e Madhe pa hipertension ose iktus të cilët u ndoqën për afërsisht 11 vjet. Pjesëmarrësit u ndanë në 3 grupe bazuar në frekuencën e dremitjeve qe ata bënin gjatë ditës (asnjëherë/rrallë, ndonjëherë, zakonisht), të raportuara nga vetë ata 4 herë në periudhën 2006-2019. U zbulua se njerëzit që dremisnin rregullisht, krahasuar me ata që nuk e bënin kurrë, ishin më të rrezikuar për të zhvilluar hipertension (raporti i rrezikut, HR, 1.12), iktus (HR 1.24) ose iktus ishemik (HR 1.20).
Individët nën 60 vjeç, të cilët ishin mësuar të dremisin, kishin një rrezik 20% më të lartë të hipertensionit sesa ata të së njëjtës moshë që nuk e kishin këtë zakon. Ky rrezik u reduktua në 10% më shumë te njerëzit mbi 60 vjeç. Për më tepër, u zbulua se ndërsa studimi përparonte, shumica e pjesëmarrësve mbetën në grupin të cilit i përkisnin dhe se në grupin e atyre që dremisnin zakonisht përqindja e burrave, njerëzve me arsim dhe të ardhura të ulëta, atyre që pinin duhan ose që konsumonin alkool çdo ditë, gërhisnin dhe vuanin nga pagjumësia, ishte më e lartë se ajo e gjetur në dy grupet e tjera.
Studiuesit kryen edhe një analizë me përzgjedhje rastësore Mendeliana, nga e cila rezultoi se një frekuencë e shtuar e dremitjeve ditore mund të jetë një faktor i mundshëm rreziku shkaktar për hipertensionin (rreziku i të cilit u rrit me 40%).
Për Michael A. Grander nga Universiteti i Arizonës në SHBA, i pa përfshirë në studim, dremitja mund të mos jetë e dëmshme në vetvete, por rritja e rrezikut të hipertensionit që gjendet kur ajo praktikohet rregullisht mund të ndodhë për shkak të mungesës së gjumit gjatë natës, gjë e cila lidhet edhe me shëndetin e dobët. "Ky studim i bën jehonë gjetjeve të tjera që në përgjithësi tregojnë se dremitjet e shumta gjatë ditës duket se pasqyrojnë rrezikun e problemeve të shëndetit të zemrës dhe problemeve të tjera", përfundoi ai.
Hypertension 2022. Doi: 10.1161/HYPERTENSIONAHA.122.19120
https://doi.org/10.1161/HYPERTENSIONAHA.122.19120