Kardiologji

tet62022

Sëmundjet kardiovaskulare. Vështirësitë në ecje dhe në ekuilibër shtojnë rrezikun te të moshuarit

Sipas një artikulli të botuar në Journal of the American Heart Association, te njerëzit mbi 65 vjeç reduktimi i funksionit fizik si pasojë e vështirësive gjatë ecjes, mbajtjes së ekuilibrit ose gjatë qëndrimit në këmbë shoqërohet me një rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare. 

"Faktorët tradicionalë të rrezikut si: pirja e duhanit, kolesteroli i lartë, hipertensioni ose diabeti janë parashikues të sëmundjeve kardiovaskulare te njerëzit e moshës së mesme, por nuk e dimë nëse janë edhe te të moshuarit. Kjo është arsyeja pse është e nevojshme të identifikohen tregues shtesë jo-tradicionalë për këtë grupmoshë", thotë koordinatori i studimit Kunihiro Matsushita nga Shkolla e Mjekësisë Johns Hopkins, duke shpjeguar se njëri prej këtyre faktorëve mund të jetë funksioni fizik, i cili përcaktohet nëpërmjet Short Physical Performance Battery (SPPB), një test që vlerëson ekuilibrin, ecjen dhe forcën e gjymtyrëve të poshtme me rezultate nga 0 në 12 pikë.

"Ne zbuluam se funksioni fizik te të moshuarit është parashikues i sëmundjeve kardiovaskulare, përveç faktorëve tradicionalë të rrezikut për sëmundjet e zemrës", vazhdon studiuesi, i cili së bashku me kolegët e tij vlerësuan rezultatet SPPB të 5,570 pjesëmarrësve (mosha mesatare 75 vjeç, 58% gra) në studimin Atheroclerosis Risk in Communities (ARIC), një studim prospektiv që kishte si qëllim vlerësimin e shkaqeve dhe prognozën klinike të aterosklerozës te të rriturit në katër komunitete të SHBA.

Rezultati primar ishte një kombinim i sëmundjes së arterieve koronare, iktusit ose insuficiencës kardiake. Rezultatet? Individët me rezultate të ulëta të SPPB-së kishin një prevalencë më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare (38.9%) sesa bashkëmoshatarët e tyre me rezultate mesatare (25.9%) dhe të larta (18.2%).

Por jo vetëm kaq, pas përshtatjes për faktorët ngatërrues, të dhënat e mbledhura treguan një rritje të rrezikut kardiovaskular të lidhur me rezultatet e ulëta dhe të ndërmjetme kundrejt atyre të larta të SPPB-së.

"Ky studim përsërit rëndësinë e ruajtjes së funksionit fizik në pleqëri, por pyetja tjetër është: cila është mënyra më e mirë për të ruajtur funksionin fizik për të moshuarit?", përfundon autori.

 

JAHA 2022. Doi: 10.1161/JAHA.121.025780
http://doi.org/10.1161/JAHA.121.025780


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>