Kardiologji

jan92023

Nivelet e larta të lipoproteinës (a) shtojnë rrezikun te pacientët me hipertension

Nivelet e larta të lipoproteinës (a) mund të rrisin me 24% rrezikun për sëmundje kardiovaskulare te njerëzit me hipertension, sipas një studimi të botuar në Hypertension.

"Studimet e mëparshme kanë treguar se kur një person vuan nga hipertensioni dhe ka çekuilibër të lipideve ose dislipidemi, ka një rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. Sidoqoftë, ne nuk kemi shumë njohuri lidhur me efektin që mund të ketë lipoproteina (a) në rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare te njerëzit me hipertension", thotë autori kryesor i studimit Rishi Rikhi nga Qendra Mjekësore Atrium Health Wake Forest Baptist në Winston-Salem, Karolina e Veriut.

Për të kuptuar më mirë situatën, studiuesit përdorën të dhënat e 6674 pjesëmarrësve të Studimit Multi-Etnik të Aterosklerozës (MESA). Pjesëmarrësit e studimit ishin nga grupe të ndryshme racore dhe etnike, 38.6% e të cilëve u identifikuan si të bardhë, 27.5% si afrikano-amerikanë, 22.1% si hispanikë dhe 11.9% si amerikano-kinezë. 

Ekspertët i klasifikuan pjesëmarrësit në grupe të ndryshme bazuar në nivelet e tyre të lipoproteinës (a) dhe matjeve të presionit të gjakut të marra në fillim të studimit. Grupi 1 (2837 persona) kishin lipoproteinë (a) nën 50 mg/dL dhe nuk vuanin nga hipertensioni, grupi 2 (615 persona) lipoproteinë (a) ≥50 mg/dL dhe nuk kishin hipertension, grupi 3 (2502 persona) lipoproteinë (a) < 50 mg/dL dhe kishin hipertension, dhe grupi 4 (720 persona) lipoproteina(a) ≥50 mg/dL dhe dhe vuanin nga hipertensioni. Pjesëmarrësit u ndoqën mesatarisht për rreth 14 vjet dhe u monitoruan për ngjarjet kardiovaskulare, duke përfshirë infarktin, arrestin kardiak, iktusin ose vdekjen nga shkaqe kardiovaskulare. 809 prej tyre kishin një ngjarje të sëmundjeve kardiovaskulare.

Nivelet e lipoproteinës (a) kishin një efekt statistikisht të rëndësishëm në statusin e hipertensionit. Krahasuar me grupin 1, grupi 2 nuk kishte një rrezik të shtuar për ngjarje kardiovaskulare. Pjesëmarrësit në grupet 3 dhe 4, të gjithë me hipertension, treguan një rritje statistikisht domethënëse të rrezikut për ngjarje kardiovaskulare në krahasim me ata të grupit 1.

"Fakti që lipoproteina (a) duket se modifikon lidhjen midis hipertensionit dhe sëmundjeve kardiovaskulare është interesant dhe sugjeron ndërveprime ose marrëdhënie të rëndësishme midis hipertensionit, lipoproteinës (a) dhe sëmundjeve kardiovaskulare dhe nevojiten kërkime të mëtejshme në këtë drejtim", përfundojnë autorët.

 

Hypertension 2022. Doi: 10.1161/HYPERTENSIONAHA.122.20189
http://doi.org/10.1161/HYPERTENSIONAHA.122.20189


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>