sht252023
Meditimi dhe joga mund të luftojnë hipertensionin. Ja, si
Praktika e jogës dhe meditimit mund të lehtësojë simptomat e hipertensionit, sipas një studimi të kryer nga Shoqata Ndërkombëtare e Hipertensionit dhe të botuar në "Journal of Hypertension".
Një panel i përbërë nga 18 ekspertë ndërkombëtarë bazuar në provat më të fundit klinike dhe ato shkencore, kanë publikuar disa rekomandime të fokusuara kryesisht në ndryshimet e stilit të jetesës që mund të ndihmojnë në parandalimin dhe menaxhimin e hipertensionit. Dokumenti ka nxjerrë në pah strategji të tilla si menaxhimi i stresit dhe cilësia e gjumit, dhe i është bashkëngjitur rekomandimeve të publikuara më herët në lidhje me ruajtjen e një peshës së shëndetshme, stërvitjen e rregullt, ndjekjen e dietës së duhur, reduktimin e marrjes së kripës, lënien e duhanit dhe kufizimin e konsumit të alkoolit.
"Hipertensioni mund të mbahet nën kontroll edhe nëpërmjet barnave, por shpesh qasja më e mirë është ndërhyrja në stilin e jetës, përpara nisjes së trajtimit farmakologjik, në rastet kur ai është i nevojshëm", thotë autori kryesor i studimit Fadi Charchar nga Universiteti Federativ në Australi.
Studiuesit janë të mendimit se ofruesit e kujdesit shëndetësor duhet të marrin në konsideratë reduktimin e stresit dhe terapitë e bazuara në ndërgjegje për njerëzit me presion të lartë të gjakut, duke treguar provat ekzistuese se praktikat si meditimi, relaksimi i muskujve, joga dhe teknikat e frymëmarrjes së thellë mund të ndikojnë në uljen e tij. Ofruesit e kujdesit shëndetësor duhet gjithashtu të vlerësojnë të gjitha aspektet e gjumit të pacientëve, duke përfshirë edhe kohëzgjatjen dhe cilësinë e tij.
Ekspertët thonë gjithashtu se, njerëzit që vuajnë nga hipertensioni duhet të kenë parasysh marrëdhënien e fortë dozë-përgjigje midis ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit dhe hipertensionit, dhe të mundohen ta reduktojnë sa më shumë ekspozimin. Për sa i përket aktivitetit fizik, autorët kanë dhënë rekomandime edhe për aktivitetin aerobik, stërvitjen me pesha dhe atë izometrike. Në fund, studiuesit theksojnë se është e rëndësishme të kufizohet marrja si e kripës ashtu edhe sheqeritdhe se idealja do të ishte që konsumi i alkoolit të ishte zero.
Journal of Hypertension 2023. Doi: 10.1097/HJH.0000000000003563
http://doi.irg/10.1097/HJH.0000000000003563