Kardiologji

tet142024

Kardiokirurgjia. Përdorimi i statinave në terapinë preoperatore

Pavarësisht përparimeve në teknikat e kardiokirurgjisë dhe kujdesit perioperativ të pacientit, individët që i nënshtrohen operacioneve të tilla mbeten të ndjeshëm ndaj komplikimeve post-kirurgjikale. Statinat ose siç njihen ndryshe frenuesit hipokolesterolemikë të reduktazës HMG-CoA, janë të njohura për vetitë e tyre antiinflamatore dhe antioksiduese dhe roli i tyre në parandalimin e sëmundjeve koronare të zemrës tashmë është i konsoliduar. Gjithashtu hipotezohet se ato mund të ofrojnë avantazhe klinike duke përmirësuar rezultatet perioperative te pacientët që i nënshtrohen kirurgjisë kardiake. Një përditësim i fundit i Cochrane i dy rishikimeve të viteve 2012 dhe 2015 synon të vlerësojë përfitimet dhe rreziqet e terapisë me statina para operacionit te të rriturit që i nënshtrohen një operacioni kardiak në krahasim me kujdesin standard ose placebo.

Studiuesit kryen kërkime të gjera në bazat e të dhënave si CENTRAL, Ovid MEDLINE dhe Ovid Embase, pa kufizime gjuhësore. Ata përfshinë të gjitha provat e kontrolluara me përzgjedhje rastësore që krahasonin çdo formë të trajtimit me statina para operacionit, pavarësisht kohëzgjatjes dhe dozës, pa një trajtim të tillë ose me placebo. Studimet pa protokoll të regjistruar apo miratim etik u përjashtuan.

Duke përdorur metodat e standardizuara të Cochrane, vdekshmëria afatshkurtër dhe ngjarjet e padëshiruara kardiovaskulare u vlerësuan si rezultate primare, ndërsa ato sekondare përfshinin: infarktin e miokardit, fibrilacionin atrial, iktusin, insuficiencën renale, kohëzgjatjen e qëndrimit në njësinë e kujdesit intensiv (ICU) dhe spital si dhe efektet anësore të lidhura me statinat. Rezultatet u prezantuan si raporte rreziku (RR) ose dallime mesatare (MD), me 95% intervale besimi.

Nga analiza e tetë RCT-ve, të cilat përfshinin 5592 pjesëmarrës, studiuesit vunë re se terapia me statina para operacionit mund të mos ndikojë ndjeshëm në vdekshmërinë afatshkurtër pas tij. Efekti në komplikimet kryesore kardiovaskulare mbetet i pasigurt. Duket se nuk ka dallime të rëndësishme në incidencën e infarktit të miokardit, fibrilacionit atrial ose iktusit. Ndikimi në insuficiencën renale është po aq i pasigurt. Për më tepër, kohëzgjatja e qëndrimit në ICU nuk duket se ndikohet ndjeshëm nga përdorimi i statinave. Pavarësisht probabilitetit të ulët të biasit në studimet individuale, dy prej tyre paraqesin një rrezik të përgjithshëm të lartë biasi.

Si përfundim, rishikimi aktual i Cochrane nuk gjeti përfitime ose dëme të rëndësishme klinike të lidhura me përdorimin e statinave në mjedisin perioperativ të kardiokirurgjisë elektive. Efekti mbi statinat duket të jetë i papërfillshëm në lidhje me infarktin e miokardit, kohëzgjatjen e qëndrimit në ICU dhe spital dhe minimale ose joekzistente për vdekshmërinë, fibrilacionin atrial dhe iktusin. Efektet në komplikimet kryesore kardiovaskulare dhe insuficiencën renale mbeten të pasigurta. Cilësia e provave varion nga e moderuar në shumë e ulët. Hulumtimet e ardhshme duhet të përqendrohen në ndikimin e statinave në vdekshmërinë dhe ngjarjet e padëshiruara kardiovaskulare.


Cochrane Database Syst Rev. 2024 Jul 22;7(7):CD008493. doi: 10.1002/14651858.CD008493.pub5.
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/39037762/


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>