Diabetologji

dhj132021

Fibrilacioni atrial. Nevojitet vëmendje e veçantë për diabetikët

Sipas një studimi të botuar në Journal of the American Heart Association, mes njerëzve me fibrilacion atrial (FA), ata me diabet përjetojnë simptoma më rrallë se ata pa diabet, por kanë një cilësi më të keqe të jetës. Diabetikët gjithashtu kanë më shumë sëmundje shoqëruese kardiake dhe neurologjike. Siç shpjegojnë autorët, diabeti është një faktor kryesor rreziku për fibrilacionin atrial, por është e paqartë nëse fenotipi i fibrilacionit individual dhe sëmundjet shoqëruese ndryshojnë midis pacientëve me dhe pa diabet.

Hulumtimi përfshiu 2,411 pacientë nga studimi Svviss-AF. "Qëllimi ynë parësor ishte të shqyrtonim lidhjen e diabetit me parametrat e fenotipit FA, duke përfshirë llojin, simptomat dhe cilësinë e jetës. Objektivat tona dytësore ishin të shqyrtonim lidhjen e diabetit me: sëmundjet bashkëshoqëruese kardiake, përfshirë historinë e hipertensionit, infarktin e miokardit dhe insuficiencën kardiake; dhe sëmundjet bashkëshoqëruese neurologjike, përfshirë historikun e iktusit dhe dëmtimin konjitiv", përmbledhin studiuesit.
Kështu, analizat treguan se diabeti dhe mjekimet për diabetin nuk ishin të lidhura me llojin e FA-së. Krahasuar me pacientët pa diabet, ata që e kishin sëmundjen, i perceptonin simptomat më rrallë, por kishin një cilësi më të keqe të jetës. Për më tepër, ata me diabet kishin më shumë gjasa të kishin sëmundje bashkëshoqëruese kardiake dhe në veçanti hipertension (OR 3.04), infarkt miokardi (OR 1.55) dhe insuficiencë kardiake (OR 1.99). Diabetikët kishin edhe një probabilitet më të lartë për sëmundje bashkëshoqëruese neurologjike, përkatësisht iktus (OR 1.39) ose dëmtim konjitiv (OR 1.75). "Këto gjetje sugjerojnë se mund të kemi nevojë të rrisim vigjilencën për zbulimin e FA-së te pacientët me diabet, duke ngritur gjithashtu pyetjen nëse pacientët me diabet duhet të bëjnë një kontroll sistematik për FA të heshtur", shkruajnë autorët.

"Perceptimi i reduktuar i simptomave të fibrilacionit atrial te pacientët me diabet mund të çojë në një vonesë në diagnozën e FA-së dhe rrjedhimisht, në më shumë efekte anësore, veçanërisht, në iktus kardioembolik. Neuropatia autonome kardiake është mekanizmi më i besueshëm me të cilin diabeti mund të zvogëlojë perceptimin e simptomave të FA-së dhe nevojiten analiza të mëtejshme ndërmjetësuese për të verifikuar këtë hipotezë", shkruajnë studiuesit, të cilët përfundojnë duke deklaruar se studimi tregon se pacientët me FA, të prekur nga diabeti, kanë të drejtë për kujdes më të lartë se ata pa diabet.


Journal of the American Heart Association 2021. Doi: 10.1161/JAHA.121.021800.
https://doi.org/10.1161/JAHA.121.021800


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>