pri62022
Gjumi në errësirë të plotë, ruan zemrën dhe mbron nga diabeti
Sipas një studimi të Qendrës së Mjekësisë Cirkadiane dhe të Gjumit në Universitetin Northwestern, botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS), fjetja në errësirë është rregulli i parë për të qenë mirë. Në të kundërt, pushimi gjatë natës me një dritë të butë në dhomën e gjumit shton rrahjet e zemrës dhe sheqerin në gjak, ndërsa shkëlqimi, megjithëse i zbehtë, kalon mbi qepallat, duke shqetësuar gjumin, pavarësisht syve të mbyllur.
"Mjafton një natë e vetme në një ambient të ndriçuar me 100 luks, një dritë që buron nga një televizor i ndezur ose që filtrohet nga jashtë përmes dritareve, mjafton që rrahjet e zemrës të rriten dhe të nesërmen në mëngjes të shfaqet një rezistencë periferike ndaj insulinës, që kushtëzon një përthithje më të ulët indore të glukozës qarkulluese në përgjigje të çlirimit të insulinës, gjë që në planin afatgjatë, favorizon zhvillimin e diabetit", shpjegon autorja e parë e artikullit, Ivy Mason, e cila së bashku me kolegët e saj matën rrahjet e zemrës dhe rezistencën periferike ndaj insulinës në një grup prej 20 20-vjeçarësh të shëndetshëm pas një nate të kaluar duke fjetur në një mjedis me dritë të moderuar rreth 100 luks, krahasuar me rreth 4-500 të një mjedisi normal me dritë dhe pas një nate të kaluar në errësirë të plotë, vetëm një luks. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të lidhur me pajisje që monitoronin cilësinë e gjumit.
"Vlerësohet se me sy të mbyllur, 5 deri në 10% e dritës në dhomë kalon përmes qepallave, por edhe një sasi e vogël e barabartë me 100 luks është në gjendje të ngadalësojë valët e trurit, fazën REM dhe kohën në të cilën truri riparon qelizat e tij. Për më tepër, rrahjet e zemrës rriten, ashtu si rezistenca periferike ndaj insulinës dhe presioni i gjakut", vijon Masoni, i cili rekomandon mbylljen e grilave dhe fikjen e çdo drite gjatë natës, ose përdorimin e një maske gjumi.
Sipas studiuesve, televizorët, telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe tabletët, pajisje të afta të lëshojnë një dritë blu që stimulon sytë, duhet të hiqen nga dhoma e gjumit. "Nëse vërtet duhet të keni një dritë sigurie, duhet të siguroheni që ajo të mos jetë blu: ngjyrat më të mira në këto raste janë e kuqja dhe kafeja", përfundon Masoni.
PNAS 2022. Doi: 10.1073/pnas.2113290119
https://doi.org/10.1073/pnas.2113290119