jan272020
Çrregullimet e të folurit. Diagnoza, në rastet e demencës, varet nga gjuha amtare e pacientit
Problemet linguistike të lidhura me demencën, shfaqen në mënyra të ndryshme në bazë të gjuhës amtare të pacientit. Kjo është ajo çfarë kanë zbuluar kërkuesit në "San Raffaele", Milano, në bashkëpunim me Universitetin e Kalifornisë së San Franciskos, duke analizuar individët që flasin italisht dhe anglisht. Rezultatet janëbotuar në një artikull në "Neurology".
"Kriteret klinike për diagnostikimin e çrregullimeve që ndikojnë në sjellje dhe në gjuhë, bazohen ende kryesisht në studimet e gjuhës angleze e në kulturat perëndimore dhe kjo mund të çojë në diagnoza të gabuara, pasi nëse njerëzit flasin gjuhë të ndryshme apo vijnë nga një mjedis tjetër kulturor, ata i shfaqin simptomat në mënyra të ndryshme", thotë Maria Luisa Gorno-Tempini, autore kryesore e studimit.
Studiuesit rekrutuan 38 pacientë me afazi progresive primare (PPA), një çrregullim neurodegjenerues, që prek zonat gjuhësore të trurit. Nga këta individë, 20 ishin anglishtfolës e 18, italishtfolës dhe të gjithë kishin një variant të PPA-së, jo të rrjedhshme, të karakterizuar nga vështirësia në prodhimin ose shqiptimin e fjalëve. Testet njohëse dhe skanimet e trurit me rezonancë magnetike zbuluan funksione të ngjashme konjitive dhe nivele të krahasueshme të degjenerimit të trurit në të dyja grupet, por kur ekspertët krahasuan performancën e tyre në një sërë testesh gjuhësore, ata vëzhguan një ndryshim thelbësor. Në fakt, ata që kishin gjuhë amtare anglishten, kishin shenjat dalluese tradicionale të PPA-së jo të rrjedhshme, domethënë vështirësi më të madhe në shqiptimin e fjalëve dhe prirjen për të folur më pak se zakonisht. Ata që flisnin italisht, nga ana tjetër, kishin më pak vështirësi me shqiptimin, por prireshin të thonin fjali shumë më të shkurtra dhe gramatikisht, më të thjeshta. Studiuesit mendojnë se kjo ndodh për faktin se vështirësitë e shqiptimit në anglisht janë mbizotëruese, ndërsa italishtja, duke pasur gramatikë shumë më të ndërlikuar, shkakton më shumë probleme në strukturën e të folurit.
Sidoqoftë, ajo që bie në sy në studim është se ata që flisnin italisht, nuk iu përgjigjën kritereve diagnostikuese të përcaktuara për PPA-në jo aq të rrjedhshme sa folësit autoktonë të anglishtes dhe kjo për shkak se këto kritere bazohen në studime mbi pacientët që flasin anglisht.
"Kjo do të thotë se ka shumë njerëz në mbarë botën që nuk diagnostikohen saktë sepse simptomat e tyre nuk përputhen me ato të përshkruara në manualet klinike", përfundojnë autorët.
Neurology 2020. Doi: 10.1212/WNL.0000000000008879
https://doi.org/10.1212/WNL.0000000000008879