tet52021
Migrena ka efekt negativ në ciklin e gjumit. Ja, në ç'mënyrë
Të rriturit dhe fëmijët me migrenë mund të flenë gjumë REM cilësor për një kohë më të shkurtër, sesa njerëzit që nuk vuajnë nga çrregullimi, sipas një studimi të botuar në "Neurology". Hulumtimi zbuloi gjithashtu se fëmijët me migrenë flenë më pak kohë sesa bashkëmoshatarët e tyre të shëndetshëm, por u duhet më pak kohë për t'i zënë gjumi. Gjumi REM (Rapid Eye Movement-Lëvizja e shpejtë e syve) është i rëndësishëm për të mësuarit dhe funksionimin e kujtesës.
"Ne donim të analizonim hulumtimet e fundit, për të krijuar një ide më të qartë se si ndikon migrena në modelet e gjumit të njerëzve dhe në ashpërsinë e dhimbjeve të kokës. Në këtë mënyrë, mjekët mund të mbështesin më mirë njerëzit me migrenë dhe të ofrojnë trajtime për një gjumë më efektiv", shpjegon Jan Hoffmann, nga King's College London në Britaninë e Madhe, i cili drejtoi punën. Studiuesit përfshinë në meaanalizë 32 studime, me një numër të përgjithshëm prej 10,243 vetësh. Pjesëmarrësit plotësuan pyetësorët për të vlerësuar cilësinë e gjumit të tyre, me pyetje në lidhje me zakonet e gjumit, duke përfshirë sa kohë u desh për të fjetur, kohën e përgjithshme të gjumit dhe përdorimin e mjeteve ndihmëse për të fjetur. Rezultatet më të larta treguan cilësi më të keqe të gjumit. Për shumë studime, njerëzit morën pjesë në një vlerësim të gjumit të natës për të diagnostikuar çrregullimet e gjumit, të cilat regjistruan valët e trurit, nivelin e oksigjenit në gjak, rrahjet e zemrës dhe lëvizjen e syve.
Kështu, ekspertët zbuluan se të rriturit me migrenë në përgjithësi kishin rezultate mesatare më të larta në pyetësor sesa njerëzit pa migrenë. Dallimi ishte edhe më i madh te njerëzit me migrenë kronike. Të rriturit dhe fëmijët me migrenë flinin më pak gjumë REM si përqindje e kohës së përgjithshme të gjumit, sesa moshatarët e tyre të shëndetshëm. Autorët zbuluan se fëmijët me migrenë kishin më pak kohë të përgjithshme të gjumit, më shumë kohë zgjimi dhe kohë më të shkurtër për të fjetur sesa fëmijët pa migrenë.
"Analiza jonë ofron një kuptueshmëri më të qartë të migrenës dhe mënyrës se si ndikon ajo në modelet e gjumit dhe ilustron ndikimin që mund të kenë këto modele në aftësinë e një personi për të fjetur mirë gjatë natës", përfundon Hoffmanni.
Neurology 2021. Doi: 10.1212/WNL.0000000000012701
http://doi.org/10.1212/WNL.0000000000012701