kor202022
Lidhja ndërmjet antibiotikëve dhe infeksioneve te disa pacientë
Një studim i publikuar në Cell Host Microbe tregon rëndësinë e menaxhimit të antibiotikëve te pacientët e brishtë, në mënyrë që ata të mbrohen nga infeksionet që mund të vënë në rrezik jetën e tyre.
Studiuesit, të cilët kryen eksperimente te minjtë laboratorikë të ndjekur nga analiza e të dhënave mjekësore nga spitalet në Shtetet e Bashkuara, tregojnë se si antibiotikët dëmtojnë sistemin imunitar në intestin dhe për rrjedhojë ka një kontroll më të dobët të infeksioneve mykotike. Por, përveç zhvillimit të këtyre të fundit, mund të ndodhë edhe një lloj "arratisjeje" e baktereve me pasojë rrezikun e infeksioneve, kësaj radhe bakteriale.
"Ne e dimë se antibiotikët përkeqësojnë infeksionet fungale, por ishte befasuese të zbulonim se bashkëinfeksionet bakteriale mund të zhvillohen në zorrë nëpërmjet këtyre ndërveprimeve", tha autorja kryesore e studimit Rebecca A. Drummond, (Instituti Kombëtar i Shëndetit në Bethesda, SHBA).
E thënë thjesht, minjtë u trajtuan me një koktej antibiotikësh me spektër të gjerë dhe më pas u infektuan me kërpudhat Candida albicans. U zbulua se vdekshmëria e këtyre minjve u rrit dhe se kjo u shkaktua në mënyrë të papritur nga një infeksion mykotik në zorrë, i cili rezultoi në një sërë ngjarjesh, si zhvendosja e baktereve. Në veçanti, u zbulua se kishte një ndërprerje në prodhimin e disa molekulave të përfshira në imunitet, të cilat u rifutën te minjtë në formën e trajtimit. Kjo, bëri të mundur përmirësimin e infeksionit mykotik.
Pas një serie tjetër eksperimentesh laboratorike, studiuesit identifikuan pacientë me infeksion invaziv Candida nga një bazë e gjerë të dhënash në SHBA dhe kuptuan se të dyja llojet e infeksioneve, fungale dhe bakteriale, mund të ndodhin te njerëzit si rezultat i trajtimit me barna antibiotike. Kështu, përveç shfaqjes së potencialit të barnave për të forcuar sistemin imunitar, studimi vë në dukje se antibiotikët mund të shkaktojnë edhe efekte që ndikojnë në mënyrën se si trupi lufton infeksionet, gjë që nënvizon rëndësinë e menaxhimit skrupuloz të këtyre barnave. "Këto rezultate demonstrojnë pasojat e mundshme të përdorimit të antibiotikëve te pacientët që janë në rrezik për zhvillimin e infeksioneve mykotike", tha Drummondi.
"Nëse kufizojmë ose ndryshojmë mënyrën se si i përshkruajmë antibiotikët, mund të ndihmojmë në uljen e numrit të njerëzve që sëmuren rëndë nga këto infeksione, si dhe të adresojmë problemin e madh dhe në rritje të rezistencës ndaj antibiotikëve", përfundon autorja.
Cell Host Microbe 2022. Doi: 10.1016/j.chom.2022.04.013.
https://doi.org/10.1016/j.chom.2022.04.013