mar52021
Vaksina Covid-19. Te gratë e reja dhe te subjektet me peshë normale, përgjigjja është më e mirë. Studimi
Në një studim të publikuar në "medRciv", kërkuesit e Institutit Kombëtar Italian të Tumoreve "Regina Elena" (IRE) dhe të Institutit Dermatologjik "San Gallicano" (ISG), kanë dalë në përfundimin se, pasi kanë marrë vaksinën për Covid-19, gratë, individët e dobët dhe ata të rinj, kanë patur një aftësi më të madhe për të shtuar përgjigjet imunitare humorale, krahasuar me meshkujt, individët në mbipeshë dhe popullsia e moshuar.
"Para së gjithash, ne donim të analizonim titrin e antitrupave shtatë ditë pas dozës së dytë të vaksinës Pfizer/Biontech në një grup prej 248 operatorësh shëndetësorë dhe së dyti, të vlerësonim se si ndryshon titri i antitrupave në lidhje me moshën, gjininë dhe indeksin e masës trupore", shpjegojnë autorët e studimit, të udhëhequr nga Gennaro Ciliberto (në IRE).
Pjesëmarrësit, 158 gra (63,7%) dhe 90 burra (36,3%), kanë marrë dozën e parë dhe më tej, dozën e dytë, ditën e 21-të dhe kërkuesit kanë mbledhur tamponë rinofaringealë dhe mostra gjaku fillimisht në matjet bazë dhe më tej, shtatë ditë pas dozës së dytë të vaksinës. Pas kësaj doze, 99,5% e pjesëmarrësve ka zhvilluar një përgjigje imunitare humorale dhe përqendrimi mesatar gjeometrik i antitrupave mes subjekteve të vaksinuara pas dozës fillestare ka qenë më e lartë se ajo që është hasur tek individët e shëruar nga sëmundja.
Titri i antitrupave, megjithatë, ka rezultuar më i lartë te pjesëmarrëset e reja dhe të gjinisë femërore dhe është vëzhguar një lidhje e fortë e indeksit të masës trupore me titrat e antitrupave.
Përgjigjja humorale, në fakt, ka qenë më efikase tek individët nën peshë dhe me peshë normale, krahasuar me ata në mbipeshë apo obezë. Ekspertët nënvizojnë se fakti që ka më pak antitrupa, nuk do të thotë automatikisht që efikasiteti i vaksinës është më i vogël, duke qenë se për të matur këtë të fundit nevojiten një sërë parametrash dhe një analizë mbi një grup shumë më të madh subjektesh.
"Ndonëse nevojiten studime të mëtejshme, këto të dhëna mund të kenë implikime të rëndësishme në zhvillimin e strategjive të vaksinimit për Covid-19, veçanërisht te njerëzit obezë. Nëse të dhënat tona do të konfirmoheshin nga studime më të gjera, mund të merrej në konsideratë ideja që t'u jepej individëve obezë një dozë më të lartë të vaksinës", përfundojnë kërkuesit.
medRciv 2021. Doi: 10.1101/2021.02.24.21251664
https://doi.org/10.1101/2021.02.24.21251664