gus262021
Kimioterapia në shtatzëni? E pranueshme, por vetëm në kohën e duhur
Trajtimi me kimioterapi lidhet me një shtim të rrezikut për keqformime të rënda kongjenitale në 12 javët e para të shtatzënisë, gjë që nënvizon rëndësinë e rekomandimit të kontracepsionit dhe testit të shtatzënisë në fillim të trajtimit me kimioterapi, te gratë e reja me kancer. "Kimioterapia nuk duhet të fillojë para se të përfundojë organogjeneza, por është e paqartë se në cilën moshë gjestacionale mund të fillohet, për të shmangur nxitjen e keqformimeve të lindura të fetusit", thotë Frederic Amant (Antoni van Leeuwenhoek-Netherlands Cancer Institute, Amsterdam), bashkautor i një studimi i publikuar në "JAMA Network Open" dhe në të cilin studiuesit përdorën informacione nga Rrjeti Ndërkombëtar për Kancerin, Sterilitetin dhe Shtatzëninë, një regjistër që ka pjesëmarrjen aktive të 73 spitaleve në 28 vende.
"Kemi analizuar të dhënat e 755 grave shtatzëna të trajtuara me kimioterapi në periudhën 1977-2019. Mosha mesatare materne në diagnozën e kancerit ishte 33 vjeçe dhe kanceri i gjirit ishte lloji më i zakonshëm (60%)", shkruajnë autorët, duke specifikuar se 27 foshnje kishin keqformime kongjenitale të rënda dhe 14 (1.9%), keqformime të vogla. Në rastet kur ekspozimi ndaj kimioterapisë ndodhi para 12 javëve të moshës gjestacionale, shkalla e keqformimeve të lindura ishte 21.7%, gjë që tregon një rritje të konsiderueshme të rrezikut, veçanërisht kur kimioterapia filloi në kohën e konceptimit. Në të kundërt, kur dozimi u krye pas 12 javësh, frekuenca e keqformimeve kongjenitale të rënda ishte 3%, e ngjashme me normat e pritshme në popullatën e përgjithshme. "Nga 29 gratë e trajtuara me kimioterapi para javës së 12-të, 17 nuk ishin në dijeni të shtatzënisë, 3 kishin pësuar abort spontan dhe 3 e kanë ndërprerë shtatzëninë", vazhdon Amanti.
"Këto gjetje sugjerojnë se kur kanceri diagnostikohet herët në shtatzëni, kimioterapia mund të fillojë nga java e 12-të e tutje, gjë që bën të rëndësishëm përcaktimin e seancave ekografike. Për të zvogëluar rrezikun për keqformime, mund të merret në konsideratë një periudhë sigurie prej 1 jave, por nuk ka asnjë arsye për shtyrjen e kimioterapisë përtej 14 javëve të shtatzënisë", përfundon studiuesi.
JAMA Network Open 2021. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2021.13180
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2021.13180