qer62024
Dieta mesdhetare ul rrezikun e vdekshmërisë te gratë. Ja, studimi
Dieta mesdhetare, e vlerësuar prej kohësh për përfitimet e saj në shëndet, rikthehet në vëmendje me një studim të ri që thekson rëndësinë e tij në jetëgjatësinë e femrave. Studimi i publikuar në Jama Network Open përbën një hap të rëndësishëm në të kuptuarit e përfitimeve të kësaj diete.
Në këtë studim grupi, të kryer në SHBA, është analizuar një popullatë prej 25.315 pjesëmarrësesh në Women Health Study. Pjesëmarrëset ishin gra fillimisht të shëndetshme, në moshën mesatare 54.6-vjeçare në momentin e regjistrimit, të cilave u ishin marrë kampione gjaku dhe informacione të detajuara mbi dietën e ndjekur, si dhe iu ishin bërë matjet e bioshënjuesve. Të dhënat e grumbulluara në vitet 1993-1996 u analizuan në qershor 2018-nëntor 2023, me një kontroll ecurie prej 25 vitesh.
Rezultatet e dietës mesdhetare, të përllogaritura në bazë të 9 përbërësve dietikë, kanë bërë të mundur klasifikimin e respektimit të këtij regjimi ushqimor nga pjesëmarrëset. Më pas, studiuesit kanë analizuar 33 bioshënjues hematikë, përfshirë edhe yndyrat, shënjuesit, inflamatorët, rezistencën ndaj insulinës dhe variablat metabolike.
Gjatë periudhës së kontrollit të ecurisë, u regjistruan 3.879 vdekje. Rezultatet evidentuan se gratë me respektim të lartë të dietës mesdhetare (rezultati 6-9) shfaqën reduktim të konsiderueshëm të rrezikut të vdekshmërisë, krahasuar me ato me respektim të ulët (rezultatet 0-3), me një reduktim të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet për 23% të grave. Edhe pas përshtatjeve për faktorët e lidhur me stilin e jetës, këto reduktime ishin statistikisht të larta.
Në veçanti, bioshënjuesit inflamatorë rezultuan ndër kontribuuesit kryesorë në rrezikun më të ulët të vdekshmërisë, të ndjekur nga lipoproteinat e pasura me trigliceride, nga indeksi i masës trupore dhe nga rezistenca ndaj insulinës. Lidhja e kundërt ndërmjet respektimit të madh të dietës mesdhetare dhe rrezikut më të ulët të vdekshmërisë shpjegohej pjesërisht nga faktorët e shumëfishtë metabolikë.
Këto rezultate krijojnë një bazë të fortë shkencore për promovimin e dietës mesdhetare te pacientët, sidomos në aspektin e parandalimit dhe menaxhimit të sëmundjeve kronike. Operatorët shëndetësorë duhet të nxisin zbatimin e këtij modeli ushqimor, të pasur me fruta, perime, drithëra integrale, bishtaja, peshk dhe vaj ulliri, i cili nuk favorizon vetëm shëndetin kardiovaskular, por kontribuon edhe në shtimin e jetëgjatësisë.
Dieta mesdhetare, tashmë e konsideruar si pasuri kulturore jo materiale e njerëzimit nga UNESCO, konfirmohet si një aleat i çmuar për shëndetin e femrave. Operatorët shëndetësorë mund të përfitojnë nga këto evidenca të reja për edukimin dhe mbështetjen e pacientëve në zbatimin e sjelljeve ushqimore që nxisin shëndetin e tyre afatgjatë.