mar162023
Ndikimi i dietës mesdhetare në zhvillimin e demencës
Një dietë tradicionale mesdhetare, e pasur me ushqime të tilla si peshk, fruta dhe arra, redukton rrezikun për zhvillimin e demencës. Në këtë përfundim ka arritur një studim i publikuar në "BMC Medicine", në të cilin theksohet se individët që e ndjekin me përpikmëri dietën mesdhetare kanë një rrezik 23% më të ulët për të zhvilluar demencë, kahasuar me ata që nuk janë shumë të përpiktë në ndjekjen e kësaj diete.
"Dieta mund të jetë një faktor i rëndësishëm rreziku për demencën dhe do të ishte një objektiv i shkëlqyer për parandalimin e kësaj sëmundjeje dhe reduktimin e rrezikut për zhvillimin e saj. Për fat të keq, studimet e mëparshme që kanë eksploruar ndikimin dietës mesdhetare, zakonisht janë kufizuar në madhësi të vogla të mostrave dhe në numër të ulët të rasteve të demencës", shpjegon Oliver Shannon nga Universiteti i Newcastle në Newcastle Upon Tyne, Britani, autori kryesor i studimit.
Për të hetuar më tej mbi këtë temë, studiuesit analizuan të dhënat e 60,298 individëve të regjistruar në Biobank në Britani, të cilët kishin përfunduar një vlerësim dietik, duke përdorur dy masa për aderimin e dietës mesdhetare dhe duke marrë parasysh rrezikun gjenetik që kishte secili individ për të zhvilluar demencë.
Gjatë një ndjekjeje mesatare prej 9.1 vitesh, 882 individë u diagnostikuan me të demencë. Ekspertët zbuluan se pjesëmarrësit me aderim më të lartë të dietës mesdhetare kishin një rrezik 23% më të ulët për të zhvilluar demencë sesa ata me rezultatin më të ulët të aderimit, që barazohej me një reduktim absolut të rrezikut prej 0.55%.
Nuk u vu re asnjë ndërveprim domethënës midis rrezikut poligjenik të demencës dhe respektimit të një diete mesdhetare. Autorët theksojnë se nevojiten më shumë kërkime për të vlerësuar ndërveprimin midis dietës dhe gjenetikës mbi rrezikun e demencës.
"Bazuar në të dhënat tona, dieta mesdhetare me një konsum të lartë të ushqimeve të shëndetshme me bazë bimore mund të konsiderohet një ndërhyrje e rëndësishme për t'u përfshirë në strategjitë që do të zbatohen në të ardhmen për reduktimin e rrezikut për demencë", përfundojnë autorët.
BMC Medicine 2023. Doi: 10.1186/s12916-023-02772-3
https://doi.org/10.1186/s12916-023-02772-3