nën252014
Financim 100% nga FSDKSH për ndërhyrjet në zemër në spitalet private
Pas nefrologjisë miratohen paketat shëndetësore për shërbimin e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë që do të ofrohen në spitalet publike dhe ato private. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka lidhur kontrata me 5 spitale jo publike të cilat do të mbulojnë këtë shërbim me të njëjtën kosto si në spitalin publik. Janë 6 paketa të kardiologjisë dhe kardiokirugjisë që do të ofrohen me financim 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm. 1) Bypass koronar 2) Intervente valvolare 3)Intervente kongenitale 4) Pacemaker definitive 5) Angiografi koronare 6) Angioplastikë koronare
Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Astrit Beci deklaroi se që nga ky moment Fondi është gati të nisë me financimin për këto paketa shëndetësore në spitalet jopublike. Lidhur me rrugën që do të ndjekë pacienti ai tha se ky shërbim do të përfitohet sipas një listë pritjeje. "Rruga që duhet të ndjekë pacienti nis nga zbatimi i sistemit të referimit për të patur konsultën e shërbimit përkatës (të nefrologjisë, kardiologjisë, kardiokirurgjisë ose ORL-së). Vendimin në se pacienti ka nevojë për një paketë shërbimi, e merr pikërisht shërbimi përkatës në QSUT. Më pas pacienti drejtohet në zyrat e Fondit ku bën regjistrimin",-specifikon Beci. Pacienti fillimisht regjistrohet në institucionet shëndetësore publike në përputhje me kapacitetet e lira të raportuara pranë zyrës së Fondit dhe në rast se, në datën e përcaktuar, nuk ka vende të lira në institucionin shëndetësor publik, atëherë nëpunësi i autorizuar i sektorit bën rregjistrimin e pacientit në mënyrë të barabartë në institucionet shëndetësore private të kontraktuara nga Fondi. Institucionet që do të përfitojnë fonde për paketat shëndetësore janë :
Spitali Hygeia
Spitali Amerikan
Spitali Gjerman
Spitali Europian i Tiranës
Spitali "Roland Xhaxho"
Grupi i punës i kryesuar nga shefat e shërbimit të Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në QSUT si dhe me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të spitaleve private ka përcaktuar kostot për secilin shërrbim dhe më pas çmimin që do të paguajë Fondi për to.
Kostot dhe Çmimet e paketave shëndetësore të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë
Paketat Shëndetësore Kosto Çmimi Lekë
1)Pacemaker definitive 194.072 209.598
2)Angiografi koronare + 47.459 51.256
kateter zemre
3)Angioplastika koronare 152.185 164.360
4)Intervent i rivaskulimit
kirurgjikal 333.555 360.239
5) Interventi valvolar 513 082 554.129
6) Interventi kongenital 242.900 262.332
Përgatiti: Alma Demiraj