News

kor262018

Demenca. OBSH-ja parashikon trefishim të rasteve në 30 vitet e ardhshme.

Në të njëjtët hapa me plakjen e popullsisë, parashikohet të ecë edhe numri i njerëzve të prekur nga demenca, i cili do të trefishohet duke shkuar nga 50 milionë, në 152 milionë, brenda vitit 2050. Ky vlerësim është bërë nga OBSH-ja, e cila ka publikuar një deklaratë shtypi për këtë çështje.

"Thuajse 10 milionë njerëz zhvillojnë çdo vit një formë të demencës (60-70% sëmundjen e  alzheimerit, demencë vaskulare dhe lloje të tjera), 6 milionë prej të cilëve ndodhen në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke sjellë një barrë të madhe vuajtjeje për ta", thotë Tedros A. Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm në OBSH.

"Kjo është një kambanë alarmi: duhet t'i kushtojmë më shumë vëmendje kësaj sfide në rritje dhe të garantojmë se të gjithë njerëzit me demencë, kudo që të jetojnë, do të marrin kurat që u nevojiten". Kësaj i shtohet edhe kostoja vjetore globale e patologjisë, vlerësuar me shumën (shpenzime mjekësore dhe sociale direkte e indirekte, siç është humbja e të ardhurave të të prekurve), rreth 818 miliardë dollarë amerikanë, që është baras me 1% të produktit të brendshëm botëror. Brenda vitit 2030, një kosto e tillë do të dyfishohet, deri në 2 trilionë dollarë amerikanë, që janë të mjaftueshëm për të minuar zhvillimin social dhe ekonomik, si dhe atë të shërbimeve shëndetësore e sociale, përfshi sistemet e asistencës afatgjatë.

Për këto arsye, OBSH-ja sapo ka vënë në punë sistemin e monitorimit global (Global dementia observatory, GBO), një platformë online që do të ndjekë përparimin e ofertave të shërbimeve për njerëzit me demencë dhe kujdestarët e tyre, si në vende të ndryshme, ashtu edhe në nivel global. GBO-ja do të monitorojë politikat dhe planet kombëtare, masat e marra për të reduktuar rrezikun dhe situatën infrastrukturore në shërbim të kurave dhe të trajtimeve. Gjithashtu, do të mbledhë informacione mbi sistemet e vëzhgimit dhe të dhënat e tyre në lidhje me sëmundjen.

"Ky sistem do të na japë mundësi jo vetëm për të monitoruar përparimet, por edhe për të identifikuar zonat në të cilat janë fort të nevojshme përpjekjet e ardhshme", nënvizon Tarun Dua (Departamenti i Shëndetit Mendor dhe i Abuzimit me Substancat në OBSH) që, sot, ka mbledhur të dhëna nga 21 vende me nivele të ndryshme të ardhurash. Brenda fundit të vitit 2018, parashikohet të mblidhen të dhëna të përditësuara nga 50 vende.

Rezultatet fillestare tregojnë se një përqindje e lartë e kombeve që kanë dërguar informacione, janë tashmë të gatshme të ndërhyjnë në fusha të tilla si planifikimi i ndërhyrjeve, fushatat e ndërgjegjësimit dhe të pranimit të demencës (për shembull, nëpërmjet lehtësimit të pjesëmarrjes në aktivitetet e komunitetit dhe në luftën kundër stigmës ndaj kësaj popullsie pacientësh), si dhe ofertat e mbështetjes dhe formimit për kujdestarët, që janë shpesh anëtarë të familjes. Në veçanti, mes vendeve që kanë transmetuar të dhënat e tyre, deri më tani, 81% kanë zhvilluar një fushatë sensibilizimi mbi demencën ose mbi reduktimin e rrezikut, 71% kanë një plan për të përballuar problematikën klinike, 71% ofrojnë mbështetje dhe formim për kujdestarët, ndërsa 66% kanë në plan një iniciativë kundër stigmës ndaj demencës.

Të gjitha këto aktivitete rekomandohen nga OBSH-ja në "Planin e aksionit global të përgjigjes së shëndet publik ndaj demencës 2017-2025", një model i plotë ndërhyrjeje që sugjeron veprime konkrete ndaj vendimmarrësve politikë, ofruesve të asistencës shëndetësore dhe sociale, organizatave të shoqërisë civile, personave që vuajnë nga demenca dhe kujdestarëve të tyre. Plani është zhvilluar duke i kushtuar rëndësi të veçantë respektimit të të drejtave njerëzore të pacientëve dhe përfshirjes së tyre në planifikimin e trajtimit.

Edhe diagnoza dhe kërkimi rikërkojnë një sforcim domethënës, thuhet në komunikatën e OBSH-së. Ka patur disa sinjale inkurajuese në financimet e disponueshme për investimet në vënien në veprim të një kure për demencën, gjatë viteve të fundit, por ka ende shumë për të bërë. Numri i artikujve të revistave shkencore mbi këtë patologji, në vitin 2016 ishte rreth 7.000, ndërkohë që ka 15.000 të tilla që i kushtohen diabetit dhe thuajse 100.000 të fokusuara mbi kancerin gjatë të njëjtit vit.

Kërkimi është i nevojshëm jo vetëm për të gjetur një kurë për demencën, por edhe për përparime në fusha të tjera, të tilla si: parandalimi, reduktimi i rrezikut, diagnostikimi, trajtimi dhe asistenca. Observatori, së fundi, do të vërë në dispozicion një bankë të dhënash, ku autoritetet e asistencës socio-shëndetësore, mjekët, kërkuesit dhe organizatat e shoqërisë civile, mund të gjejnë profile kombëtare dhe rajonale mbi demencën, raporte globale, udhëzime dhe instrumente aplikuese (toolkit) për parandalimin dhe kurimin.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>