maj212020
Terapitë qelizore dhe rreziku që paraqesin. "Udhëtimet e shpresës" kanë ardhur në Evropë
Terapi me bazë qelizat, të reklamuara si mrekullibërëse, por në të vërtetë jo të vërtetuara ose të paautorizuara. Në Evropë ka qendra që i ofrojnë ato duke i reklamuar përmes internetit. Dhe, në rrjetë bien pacientë që kërkojnë dëshpërimisht trajtim për lloje të ndryshme të sëmundjeve, duke marrë përsipër "rreziqe serioze, me përfitime të vogla ose të munguara". Alarmi është ngritur nga Komiteti për Terapitë e Avancuara (CAT) në Agjencinë Evropiane të Barnave, në një dokument të zhvilluar "si përgjigje ndaj njerëzve, kompanive dhe spitaleve që promovojnë terapi qelizore të pavlerësuara shkencërisht, siç janë trajtimet për një gamë të gjerë patologjish, të tilla si kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, autizmi, paralizat cerebrale, distrofia muskulare dhe humbja e shikimit".
Një fenomen "në rritje dhe gjithnjë e më i afërt", shpjegon Francesca Ceradini, drejtore shkencore e Observatorit për Terapi të Avancuara: "Më parë, "udhëtimet e shpresës" bëheshin drejt Indisë ose Kinës, por sot bëhen edhe në Evropë dhe SHBA".
Terapitë qelizore përdorin qeliza të marra nga pacienti ose nga një donator për të rigjeneruar indet ose organet dhe sot ato përfaqësojnë një shpresë që po shqyrtohet edhe për trajtimin e Covid-19. Metoda parashikon që qelizat të manipulohen në laborator (të kultivuara), ose të modifikohen gjenetikisht, ose të përdoren me një funksion të ndryshëm nga ai origjinal. Ato janë të rregulluara në BE si produkte mjekësore dhe Komiteti për Terapitë e Avancuara në EMA rregullon qasjen në kohë në këto "trajtime potencialisht në gjendje të të ndryshojnë jetën".
"Për momentin, vazhdon Ceradini, ka shumë pak terapi të aprovuara qelizore në Evropë. Shumë janë duke u testuar dhe pjesa tjetër është një xhungël trajtimesh të pavlerësuara. Vetëm në SHBA ka mbi 700 klinika private që i shesin ato me një çmim të lartë; por të tjera ka në Evropë, veçanërisht në Evropën Lindore, në Zvicër dhe mbase edhe në Itali".
Pacientët që përdorin terapi qelizore që nuk janë vërtetuar shkencërisht dhe janë të parregulluara, vëren EMA, "kanë raportuar efekte anësore serioze, ndonjëherë fatale, duke përfshirë infeksione, reaksione imune të padëshiruara, formim tumoresh, humbje të shikimit dhe hemorragji cerebrale". "Për të mbrojtur qytetarët", vazhdon EMA, "studimet klinike të modeluara mirë janë thelbësore për të vlerësuar sigurinë dhe përfitimet e këtyre terapive". Dhe ata që duan t'i përdorin ato, "duhet t'u drejtohen profesionistëve të shëndetit, të marrin informacion mbi përfitimet dhe rreziqet".