mar22023
Akreditimi i Universiteteve. Universiteti i Mjekësisë merr akreditim maksimal për 6 vite
Në fund të muajit shkurt Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë ka vlerësuar me pikët maksimale Universitetin e Mjekësisë dhe atë të Tiranës pasi ka mbyllur procesin e riakreditimit të 12 institucioneve publike dhe private. Kjo agjenci gjithsesi ka kërkuar të rritet cilësia e kërkimit shkencor dhe publikimi në revista cilësore ndërkombëtare. Drejtoresha e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë shpjegoi se i njëjti rekomandim është bërë edhe për institucione të tjerë të cilët nuk morën pikët maksimale në këtë proces akreditimi.
I pyetur në lidhje më kërkimin shkencor që duhet të rritet, rektori i Universitetit të Mjekësisë prof. Arben Gjata thotë se kjo lidhet direkt me financimin. "Duhet të projektohen buxhete për kërkimin shkencor. Pikërisht këtë kërkojnë edhe stafet akademike", shpjegoi prof. Gjata.
Bordi i Akreditimit vendosi:
Vlerësimin përfundimtar POZITIV për institucionin e arsimit të lartë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, me rekomandimet sipas shtojcës së këtij vendimi.
Akreditimin institucional të institucionit të arsimit të lartë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, me kohëzgjatjen prej 6 (gjashtë) vite.
Afati përfundimtar i vlefshmërisë së akreditimit të institucionit është 26/01/2029.
Ngarkohet Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë për zbatimin e këtij vendimi, publikimin dhe lëshimin e certifikatës se akreditimit brenda një muaji nga data e marrjes së këtij vendimi, si dhe monitorimin e rekomandimeve sipas shtojcës bashkëlidhur.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Shtojca
Rekomandimet në zbatim të vendimit të Bordit të Akreditimit Nr. 03, datë 27.01.2023, "Për akreditimin periodik të institucionit të arsimit të lartë, Universiteti i Mjekësisë Tiranë", janë si vijon:
Institucioni, të mbështesë e nxisë me tej mobilitetin e personelit akademik dhe studentëve.
Institucioni, të mbështesë e nxisë më tej personelin akademik, për të rritur cilësinë e kërkimit shkencor dhe publikimeve në revista cilësore me faktor të lartë impakti.
Institucioni, të përditësojë faqen e tij zyrtare të internetit edhe me informacione që lidhen me punën kërkimore shkencore të personelit akademik.
Në përmbushje të rekomandimeve të mësipërme, Universiteti i Mjekësisë Tiranë duhet të hartojë një Plan
Veprimi konkret dhe ta dorëzojë atë brenda 6 (gjashtë) muajve pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Ngarkohet ASCAL për ndjekjen e përmbushjes së këtyre rekomandimeve dhe raportimin në BA brenda afatit të përcaktuar në Planin e Veprimit.
Alma Demiraj