News

maj112023

Pas pandemisë Covid, sëmundjet kardiake në rritje. INSTAT: Gjatë vitit 2022, shtrimet në spital u rritën me 22%

Pas pandemisë së Covid-19 janë rritur ndjeshëm sëmundjet kardiovaskulare te qytetarët. Shifrat e publikuara nga INSTAT tregojnë se vetëm gjatë vitit 2022 sëmundjet kardiake janë rritur me 21%, krahasuar me vitin 2021. Mjekët kardiologë shprehen të shqetësuar pasi është rritur numri i infarkteve te moshat e reja.

"Sëmundjet kardiake kanë një trend në rritje dhe kjo edhe ishte paralajmëruar. Ka ndryshuar stili i jetesës. Përveç faktorëve që janë njohur deri më tani si shkaktarë të sëmundjeve kardiake, ka edhe faktorë të rinj që nuk njiheshin më parë. Është rritur shumë numri i të rinjve që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Kur nuk je mirë mendërisht, sigurisht që nuk mund të jesh as  fizikisht. Ndaj është ulur edhe mosha e personave që shfaqin probleme kardiake apo që pësojnë infarkte", shprehet mjekja kardiologe Engjellushe Hasani pranë Qendrës Shëndetësore nr. 3 në Tiranë.

Por përveç pandemisë së Covid dhe problemeve të shëndetit mendor në rritje, mjekët theksojnë një tjetër faktor siç është përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë dhe shtimi i përdoruesve të alkoolit.

Mjekët kardiologë bëjnë thirrje që të kryhen analizat e nevojshme çdo vit edhe nga të rinjtë, në mënyrë që të mos shkojnë te mjeku atëherë kur pësojnë infarkt apo duhet ndërhyrë, ndërkohë që mund të parandalojnë dëmin që mund të shkaktojnë sëmundjet kardiake. Sipas të dhënave të raportit të monitorimit të ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për vitin 2022 numri i të shtruarve në spitale ishte gjithsej 277,881 pacientë. Pas pandemisë së Covid-19 në 2022 ky është numri më i lartë i shtrimeve në spitale.

Në 2020-n shtrimet në spitale ranë për shkak të frikës nga inflektimet e Covid-19. Mjekët paralajmëruan se pas pandemisë do të ketë rritje, sidomos të ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër si bypass-e e stente koronare, për shkak të problemeve post Covid-19 që duhet të trajtoheshin në kohë.

Për vitin 2022, më shumë shtrime në spitale ka për pacientët e trajtuar në kardiologji/kardiokirurgji dhe në spitalet psikiatrike. Shtrimet në kardiologji janë rritur me rreth 21% krahasuar me vitin 2021.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>