News

shk82024

Dr. Skënder Brataj: Interneti po shndërrohet në emergjencë shëndetësore.

Sot, 8 shkurti, Dita Botërore e Sigurisë në Internet

Pavarësisht avantazheve të shumta që ka interneti, qëndrimi me orë të gjata, por edhe varësia që po krijojnë fëmijët tanë nga lojërat, po u shkakton dëme shëndetësore. Dr. Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare thotë se kjo është një kambanë alarmi, që po na thërret për ndërhyrje.

"Përveç dëmeve, për të cilat është folur deri më tani, të tilla si: pedofilia, vetëvrasja, qëndrimi me orë të zgjatura, të shkaktuara nga rrjetet sociale si TikToku, ngarkesa e trurit po shkakton konvulsione apo sëmundje epileptike, e më gjerë. Më shumë se një studim ka ngritur alarmin për rrezikun e varësisë nga videolojërat, ose nga bullizmi në internet për më shumë se një në dhjetë fëmijë dhe nxënës.
Ky është një fenomen, për të cilin studime të shumta kanë treguar se shton çrregullimet mendore, duke i bërë gjithnjë e më të përhapura, jo vetëm te moshat e rritura, por edhe te brezat e rinj.
Studimet tregojnë se ky është një problem shqetësues për ata që kanë lindur pas vitit 2010. Nuk është rastësi që përcaktohen edhe si "SCREENAGERS" për kohën që kalojnë para ekraneve të kompjuterëve, tabletëve dhe smartfonëve", shprehet dr. Brataj.

Sipas tij, ekzistojnë disa studime të bëra në lidhje me përdorimin e internetit të cilat tregojnë se interneti është shndërruar në shkakun e dytë të vdekjeve pas aksidenteve.

"Kjo është një emergjencë e re shëndetësore, e cila manifestohet edhe me përhapjen gjithnjë e më shqetësuese të ÇRREGULLIMEVE TË USHQYERJES.

Studimet e fundit demonstrojnë se këto çrregullime të ushqyerjes shkaktojnë mbi katër mijë vdekje në vit te personat nën 24 vjeç. Një masakër e heshtur, përballë së cilës nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Ekspozimi i modeleve estetike të paarritshme duhet të shmanget për të mos nxitur çrregullimet e mëtejshme të ushqyerjes. Do të ishte shumë e dobishme që platformat, madje edhe markat e mëdha të modës, të bënin me dije se kur imazhet e atyre trupave të përsosur janë bërë me fotoshop. Gjysmë milioni të rinj në Itali janë të varur nga rrjetet sociale", thekson kreu i Urgjencës Kombëtare.

Brataj thotë se duhet ndërhyrë që edhe vetë aplikacionet të sinjalizojnë përdoruesin kur kalohet një kohë e caktuar. Prindërit dhe mësuesit duhet të luajnë një rol të rëndësishëm, apo t'i informojnë të rinjtë mbi dëmet që shkakton interneti.

8 Shkurti është Dita Botërore e Sigurisë në Internet, e cila festohet në rreth 200 shtete të botës.

Sipas UNICEF-it, çdo ditë, më shumë se 180 mijë fëmijë hyjnë online për herë të parë!

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>