maj212024
Hipertensioni. 1 në 3 shqiptarë, të prekur
Prof. Margarita Gjata: Ulni sasinë e kripës dhe rrisni aktivitetin fizik
1 në 3 persona janë të prekur nga presioni i lartë i gjakut. Këta persona kanë rrezik të shtuar për goditje në tru dhe atak në zemër. Vetëm 50% e personave që vuajnë e dinë këtë gjë. Pjesa tjetër nuk e dinë se janë të prekur nga hipertensioni. Rezultati i përllogaritjeve në vendet evropiane është publikuar nga OBSH, e cila konfirmon se komplikacionet dhe vdekjet nga tensioni i lartë dhe i pamatur po shtohen. Studimi, pjesë e një iniciative evropiane që nga 2017-ta, ka treguar se brenda 4 vitesh, numri i personave me hipertension u rrit me 10%.
300 mijë pacientë janë të kartelizuar në vendin tonë me hipertension. ISHP rekomandon matje të përditshme të tensionit në kushte shtëpie. Mjekët u kujtojnë qytetarëve të matin dhe trajtojnë tensionin, si dhe të zvogëlojnë sasinë e kripës në dietën ushqimore, si një nga faktorët më madhorë të rrezikut, duke e kufizuar atë deri në dy gramë në ditë.
Shefja e shërbimit të sëmundjeve interne në QSUT, Margarita Gjata, u shpreh se kontrolli dhe trajtimi e parandalojnë rrezikun për vdekje të parakohshme:
"Hipertensioni arterial përfaqëson vrasësin e heshtur më të rrezikshëm, pasi rrallë prania e tij shoqërohet me simptoma të qarta, apo shqetësime të rëndësishme që tërheqin vëmendjen. Ndërgjegjësimi publik përbën çelësin e artë për diagnostikimin e hershëm, mbajtjen nën kontroll dhe uljen e komplikacioneve të rënda kardiovaskulare, cerebrale apo sistemike! Ritheksojmë që përveç diagnostikimit dhe trajtimit të hershëm, duhen modifikuar edhe faktorët e riskut për HTA, të tillë si: stili i jetës, mbipesha, inaktiviteti fizik, stresi, pirja e duhanit dhe konsumimi i tepërt i alkoolit. Qytetarët të kenë prioritet shëndetin kardiovaskular dhe të ndërmarrin hapa proaktivë për të parandaluar komplikimet e lidhura me hipertensionit", u shpreh prof. Gjata
Eksperti i Shëndetit Publik (ISHP), Alban Ylli, përmend për herë të parë se çështja e konsumimit të kripës nga shqiptarët po fillon të adresohet.
"Për herë të parë po fillon matja e konsumit të kripës nëpërmjet natriumit në urinë, përmes një kampioni të vogël qytetarësh, kështu që edhe çështja e kripës do të marrë adresimin e duhur, pasi konsumimi i saj është faktor i njohur hipertensioni", u shpreh ai.
Alma Demiraj