pri92021
Covid-i dhe shkolla. Mësimi në distancë, i dëmshëm për shëndetin fizik e mendor të fëmijëve dhe prindërve
Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), mësimi në mjediset shkollore është i rëndësishëm për mirëqenien fizike e mendore të fëmijëve dhe për mirëqenien emocionale të prindërve. Në një artikull të botuar në "Morbidity and Mortality Weekly Report", përmes një sondazhi kombëtar, ekspertët ekzaminuan ndryshimet në përvojat e fëmijëve dhe prindërve dhe në treguesit e mirëqenies, bazuar në mënyrën se si u shkolluan fëmijët gjatë pandemisë.
Nga 1,290 të anketuar me një fëmijë të regjistruar në një shkollë publike ose private, 45.7% raportuan se arsimi u menaxhua me mësim në distancë, 30.9% në klasë dhe 23.4% në mënyrë të përzier. "Për 11 nga 17 treguesit e stresit dhe mirëqenies në lidhje me shëndetin mendor e aktivitetin fizik të fëmijëve dhe shqetësimin emocional të prindërve, rezultatet ishin dukshëm më të këqija për familjet e përfshira në mësimin në distancë ose të përzier, në krahasim me ato të menaxhuara me mësim në mjediset shkollore", shpjegon Jorge Verlenden, nga CDC-ja, autori kryesor i studimit. Në veçanti, midis nëntë treguesve në lidhje me mirëqenien e fëmijëve, pesë ndryshuan në mënyrë të konsiderueshme sipas mënyrës së arsimit të zhvilluar, duke pasqyruar një mbizotërim të rezultateve negative për fëmijët me mësimdhënie në distancë ose të përzier, në krahasim me ata që ishin të pranishëm në shkollë. Në fakt, prindërit e këtyre fëmijëve raportuan shpesh se shëndeti mendor ose emocional i fëmijëve të tyre u përkeqësua gjatë pandemisë dhe se koha e tyre e kaluar jashtë dhe e përfshirë në aktivitetet fizik, u pakësua.
Midis tetë treguesve të mirëqenies që kishin të bënin me prindërit, gjashtë ndryshuan ndjeshëm në përputhje me mënyrën e arsimimit të fëmijëve. Krahasuar me prindërit, fëmijët e të cilëve zhvilluan mësim në mjediset shkollore, ata të fëmijëve në mësim në distancë raportuan më shpesh shqetësime emocionale, vështirësi për të fjetur, humbje të vendit të punës, shqetësim për stabilitetin e punës, vështirësi në kujdesin ndaj fëmijëve dhe konflikt midis punës dhe ndjekjes së fëmijëve. Prindërit e fëmijëve në arsim të përzier raportuan gjithashtu konflikte midis punës dhe kujdesit për fëmijët, si dhe humbje të vendit të punës më shpesh sesa prindërit e fëmijëve që e zhvilluan mësimin në mjediset shkollore. Do të nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar nëse arsimi virtual ka ndikime negative në shëndetin e fëmijëve dhe prindërve, veçanërisht në pakicat racore dhe etnike dhe në komunitetet e prekura në mënyrë të veçantë nga Covid-19.
MMWR 2021. Doi: 10.15585/mmwr.mm7011a1
http://dx.doi.org/10.15585/mmwr.mm7011a1