gus112021
Long-Covid. Simptoma të rralla te fëmijët dhe të rinjtë. Studimi në Lancet
I ashtuquajturi long-covid, grupi i simptomave dhe çrregullimeve që prekin njerëzit e shëruar nga infeksioni Sars-Cov-2, duket se është shumë i rrallë në mesin e më të rinjve, të cilët tregojnë kohë shërimi prej një jave. Kjo ka dalë nga një studim i botuar në The Lancet Child & Adolescent Health dhe i kryer nga studiues të King's College London.
Analiza ofron përshkrimin e parë të detajuar të sëmundjes Covid-19 te fëmijët e të rinjtë simptomatikë të moshës 5 deri në 17 vjeç dhe u përqendrua në të dhëna e 1,734 pacientëve të cilët rezultuan pozitivë, duke i vlerësuar qëkur nisën simptomat e deri në shërim. Në përgjithësi, periudha e rimëkëmbjes ishte një javë, fëmijët shfaqën pak simptoma dhe sëmundja zgjati mesatarisht 6 ditë, me 3 simptoma të gjetura. Pothuajse të gjitha simptomat u shëruan brenda 8 javësh (98.2%). Sidoqoftë, siç vërejnë autorët, disa fëmijë (4.4%, pra, 77 nga 1.734) përjetuan simptoma - mesatarisht 2 - që vazhduan përtej 4 javëve. Simptoma më e zakonshme ishte lodhja (84%), e ndjekur nga dhimbja e kokës dhe humbja e nuhatjes, çdonjëra prej të cilave, e përjetuar nga 77.9% e fëmijëve në një moment gjatë rrjedhës së sëmundjes. Sidoqoftë, dhimbjet e kokës ishin më të zakonshme në fillim të sëmundjes, ndërsa humbja e nuhatjes prirej të vinte më vonë dhe të vazhdonte më gjatë. Nga fëmijët që shfaqën simptoma të paktën 2 muaj para përfundimit të periudhës së studimit, më pak se 2% i kishin ato për më shumë se 8 javë. "Numri i fëmijëve që përjetojnë simptoma afatgjata të Covid-19 është i ulët, komenton Emma Duncan, drejtuese dhe autore e studimit, por një pjesë e vogël eksperimenton forma të long-covidit dhe studimi ynë vërteton përvojat e këtyre fëmijëve dhe të familjeve të tyre".
Fëmijët më të mëdhenj në përgjithësi ishin të sëmurë më gjatë se ata të moshës së shkollës fillore (kohëzgjatja mesatare e sëmundjes 7 ditë te fëmijët e moshës 12 deri në 17 vjeç, kundrejt 5 ditëve te fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç). Gjithashtu, ata kishin më shumë gjasa të shfaqnin simptoma pas 4 javësh (5.1% të moshës 12-17 vjeç kundrejt 3.1% të 5-11 vjeç), por nuk kishte dallime të mëdha midis fëmijëve që ende kishin simptoma pas 8 javësh. "Ne zbuluam, shton Erika Molteni, autore e studimit, se pothuajse një e katërta e fëmijëve simptomatikë që rezultuan pozitivë gjatë valës së dytë të Covidit në Mbretërinë e Bashkuar nuk raportuan simptoma kryesore, duke sugjeruar nevojën e rishqyrtimit të politikës britanike të testimit".