qer212018
Sa më të shpeshta seancat e saunës, aq më i vogël rreziku për iktus
Sipas revistës "Neurology", e cila ka publikuar një studim të kryer nga një grup studiuesish të spitaleve universitare Bristol, Angli, nëse bën vazhdimisht sauna, mund të reduktosh rrezikun për iktus.
Rezultatet e studimit kanë treguar se njerëzit që e ndiqnin këtë praktikë 4-7 herë në javë, kishin 61% më pak mundësi për të pësuar një iktus, krahasuar me ata që bënin sauna vetëm një herë në javë. Kërkuesit kanë analizuar të dhënat e 1.628 burrave e grave të grupmoshës 53-74 vjeç, rezidentë në zonën orientale të Finlandës. Në bazë të frekuencës së tyre të përdorimit të saunave tradicionale finlandeze me një lagështi relative prej 10-20%, pjesëmarrësit në studim janë ndarë në tre grupe:
1. Ata që bënin sauna vetëm një herë në javë.
2. Ata që e ndiqnin këtë praktikë 2-3 herë në javë.
3. Ata që bënin sauna 4-7 herë në javë.
Kështu, është vënë re se, sa më të shpeshta të ishin saunat, aq më i vogël ishte rreziku për iktus. Krahasuar me ata që bënin një seancë sauna në javë, rreziku zvogëlohej në masën 14% te grupi me 2-3 seanca dhe me 61% te grupi me 4-7 seanca. Lidhja ishte edhe më e fortë nëse merrej parasysh rreziku konvencional për iktus, siç është mosha, gjinia, diabeti, indeksi i masës trupore, yndyrat në gjak, konsumimi i alkoolit, aktiviteti fizik, si edhe statusi socio-ekonomik.
Efekti i këtij parandalimi ishte i njëllojtë te burrat dhe te gratë. Në një editorial shoqërues, Josef Heckmann (Spitali Landshut, Gjermani) dhe Katriina Kukkonen Harjula (Qendra e Kujdesit për Shëndetin, Finlandë), nënvizojnë se gjatë saunës mund të ndodhë rënie e tensionit, dehidratim, aritmi, sidomos pas marrjes së alkoolit, por dobitë e kësaj praktike, duket se i tejkalojnë dukshëm rreziqet e saj.
"Këshillojmë që të niset me kujdes, të testohet toleranca individuale ndaj nxehtësisë, të shtohet gradualisht frekuenca e intensiteti i saunës dhe mundësisht, të kombinohet praktika e saunës me aktivitet fizik gjatë kohës së lirë", përfundojnë autorët.
Neurology. 2018. doi: 10.1212/WNL.0000000000005606
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29720543
Neurology. 2018. doi: 10.1212/WNL.0000000000005592
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29720542