jan152020
Kolesteroli. Kontroll më i mirë, sipas udhëzimeve amerikane. Ja, bilanci...
Sipas një studimi të publikuar në "Journal of American College of Cardiology", implementimi i udhëzimeve të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë (ACC)/Shoqatës Amerikane të Zemrës (AHA) të vitit 2013 për kontrollin e kolesterolit në gjak, ka sjellë një përmirësim të niveleve të kolesterolit total mes të rriturve amerikanë, në veçanti, mes atyre që marrin barna kundër hiperkolesterolemisë.
"Udhëzimet ACC/AHA kanë ndryshuar qasjen ndaj menaxhimit të kolesterolit te njerëzit që janë në rrezik të lartë për sëmundje kardiovaskulare, duke i rekomanduar, bazuar te rreziku dhe jo më mbi kolesterolin e synuar LDL. Në vitin 2018 është publikuar një udhëzim i ri për kolesterolin, por qasja e bazuar te rreziku nuk ka ndryshuar", shpjegon Pankaj Arora (Universiteti i Alabamës në Birmingam), autori kryesor i studimit.
Kërkuesit kanë shqyrtuar impaktin e udhëzimeve afatgjata të vitit 2013, duke vlerësuar tendencat kombëtare në kuptimin e kolesterolit total, triglicerideve dhe kolesterolit LDL, si dhe të ndërgjegjësimit mbi kolesterolin e lartë dhe mbi përdorimin e statinave.
Studimi NHANES i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA është përdorur për të vlerësuar tendencat e niveleve lipidike në periudhat 2005-2006, 2011-2014 e 2015-2016. Janë vlerësuar një numër i përgjithshëm prej 32.278 pacientësh dhe, mes amerikanëve që kanë marrë barna hipolipemizuese, kolesteroli total i rregulluar sipas moshës, është reduktuar nga 206 mg/dL që ishte në periudhën 2005-2006, në 191mg/dL në periudhën 2013-2014, me një rënie të mëtejshme në 187 mg/dL në periudhën 2015-2016.
Kolesteroli LDL mesatar mes të rriturve që kanë marrë barna hipolipemizuese është pakësuar nga 122 mg/dL në periudhën 2005-2006, në 107 mg/dL në periudhën 2013-2014 dhe në 101 mg/dL në periudhën 2015-2016.
Studiuesit zbuluan se numri i njerëzve të cilëve u ishte thënë se kishin kolesterol të lartë u rrit nga 63.6% në 2005-2006, në 69.4% në 2011-2012 dhe kjo përqindje mbeti e pandryshuar deri në periudhën 2015-2016. Përqindja e të rriturve të përshtatshëm për të përdorur statina dhe që po e merrnin barin, u rrit nga 41.3% në 2005-2006 në 49.2% në 2015-2016 dhe ishte më e lartë mes të rriturve amerikanë me diabet.
Përdorimi i statinave në nëngrupin e pacientëve që mund të merrnin përfitimin maksimal, mbeti rreth 30%, me një ulje modeste prej 4% në periudhën 2015-2016, me gjasë për shkak të rekomandimit të një diskutimi rrezik/përfitim me pacientin, para administrimit të barit.
JACC 2019. Doi: 10.1016/j.jacc.2019.09.026
https://doi.org/10.1016/j.jacc.2019.09.026