tet312019
Udhëzimet e fundit mbi kolesterolin. Ja, cilat janë të rejat...
Një qasje më agresive, me synime më të ulëta për reduktimin e kolesterolit Ldl (c-Ldl) te kategoritë e pacientëve me rrezik më të madh kardiovaskular. Kjo është ajo çka parashikojnë udhëzimet e reja ESC/EAS (Shoqata Europiane e Kardiologjisë/Shoqata Europiane e Aterosklerozës), që janë prezantuar në Paris, gjatë kongresit vjetor të ESC-së.
Për më tepër, koncepti "më i ulët, më mirë" që është paraqitur në vitin 2013 nga udhëzimet ACC/AHA (Kolegji Amerikan i Kardiologjisë/Shoqata Amerikane e Zemrës), jo vetëm që është konfirmuar, por edhe është përforcuar, në bazë të kriterit: një reduktim i rrezikut kardiovaskular është drejtpërdrejt proporcional me reduktimin e c-Ldl. Në dokument mbeten të vlefshme rekomandimet mbi mundësinë për t'iu drejtuar statinave, nëse është e nevojshme, ezetimibes dhe ndoshta (në një popullsi të vogël subjektesh me rrezik shumë të lartë), inhibitorëve Pcsk9.
Theksi i është vënë gjithashtu nevojës për të monitoruar me kujdes pacientin përmes matjes së niveleve të c-Ldl me kalimin e kohës, për të shmangur mungesën e aderimit në terapi nga ana e pacientëve, e cila është shumë e përhapur.
Më hollësisht, këta janë parametrat e rinj të rekomanduara të c-Ldl:
a) pacientë në rrezik të lartë (vdekje kardiovaskulare për 10 vjet > 10%): reduktim i c-Ldl më së paku 50% në krahasim me bazën, duke mbajtur si objektiv < 1,4 mmol/L (<55 mg/dL);
b) pacientë në rrezik të lartë, që eksperimentojnë një event të dytë vaskular brenda 2 vjetësh (jo domosdoshmërisht njësoj si i pari), gjatë marrjes së terapisë maksimalisht të toleruar me statina: të merret parasysh një objektiv i c-Ldl < 1,0 mmol/L (< 40 mg/dL);
c) pacientë në rrezik të lartë (vdekje kardiovaskulare për 10 vjet nga 5% në 10%): reduktim i c-Ldl të paktën 50%, krahasuar me bazën. Të merret parasysh një objektiv i c-Ldl < 1,8 mmol/L (< 70 mg/dL);
d) subjekte në rrezik të moderuar (vdekje kardiovaskulare për 10 vjet nga 1% në 5%): të merret parasysh një objektiv i c-Ldl < 2,6 mmol/L (< 100 mg/dL);
e) njerëz në rrezik të ulët (vdekje kardiovaskulare për 10 vjet <1%): të vendoset si objektiv një nivel i c-Ldl < 3,0 mmol/L (< 116 mg/dL).
Një koncept i rëndësishëm i prezantuar nga udhëzimet e reja është mungesa e dallimit midis parandalimit parësor dhe dytësor; bordi shpjegon se edhe në mungesë të ngjarjeve të mëparshme, mund të ketë faktorë të tillë të shumëfishtë rreziku të njëkohshëm, që mund të justifikojnë një terapi më intensive me statina, e cila është e domosdoshme te pacientët mbi 75 vjeç. Dokumenti ndalet gjithashtu te siguria e statinave, duke theksuar që efektet anësore në nivelin muskulor (të ashtuquajturat "intoleranca") janë më të rralla sesa mendohet dhe në çdo rast, të menaxhueshme përmes uljes së dozave ose modifikimit të molekulës, në mënyrë që ta mbajnë pacientin në një trajtim për uljen e kolesterolit.
Për të identifikuar në mënyrë më të saktë pacientët që janë kandidatë për terapi, sugjerohet që të kryhet të paktën një herë vlerësimi i kalciumit koronar (CAC) dhe matja, përveç triglicerideve, e dy bioshënjuesve plazmatikë, siç është apolipoproteina B (ApoB) dhe lipoproteina (a) [Lp (a)].
A.Z.
Eur Heart J, 2019 Aug 31. doi: 10.1093/eurheartj/ehz455. [Epub ahead of print]
https://academic.oup.com/eurheartj/advance-article/doi/10.1093/eurheartj/ehz455/5556353