mar192020
Kardiologë, mos i ndërprisni trajtimet antihipertensive. Nuk kanë asnjë lidhje me Covid-19
Ditët e fundit, në mediat sociale dhe me audio në WhatsApp, kanë qarkulluar disa lajme të rreme mbi lidhjen e pretenduar midis terapisë me barna antihipertensive dhe rrezikut nga infeksioni coronavirus. Shkak i publikimit të tyre kanë qenë disa studime, sipas të cilave barnat Ace2 veprojnë si receptorë funksionalë të coronavirusit dhe për këtë arsye, mund të kenë disa efekte në subjektet e prekura nga virusi Sars-Cov-2.
Për t'iu përgjigjur shqetësimit në rritje mbi këtë temë, kardiologët bëjnë thirrje të mos ndërpritet trajtimi dhe specifikojnë se nuk ekziston asnjë komplikacion që lidhet me coronavirusin dhe përdorimin e barnave të përdorura për hipertension, pamjaftueshmëri ose sëmundje ishemike të zemrës, te pacientët që nuk janë prekur nga Covid 19, si dhe tek ata të infektuar.
"Ndërprerja e këtyre trajtimeve kronike, thotë Ciro Indolfi, president i Shoqatës Italiane të Kardiologjisë (SIC), do të nënkuptonte jo vetëm përkeqësimin e shëndetit të një personi, por edhe rritjen e rrezikut të bllokimit të shërbimit shëndetësor për raste urgjente që mund të ishin shmangur".
"Aktualisht nuk ekzistojnë studime te njerëzit që demonstrojnë një efekt të dobishëm ose negativ të frenuesve të Ace ose sartaneve te pacientët me Covid-19, kështu që ne nuk kemi asnjë informacion që mund ta rekomandojë ose jo këto terapi te pacientët me coronavirus. Përveç kësaj, te pacientët që nuk janë prekur nga Covid-19, këto barna, të cilat kanë treguar efikasitet të jashtëzakonshëm në uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, mund të përdoren qetësisht te popullata e përgjithshme".
Apelit për të mos e ndërprerë trajtimin i bashkohet edhe SIIA (Shoqata Italiane e Presionit të Lartë të Gjakut), e cila rekomandon në një shënim zyrtar: "Pacientët hipertensivë nuk duhet të modifikojnë ose braktisin terapinë antihipertensive, e cila është dëshmuar me kalimin e kohës se është në gjendje të mbrojë njerëzit nga rreziku i komplikacioneve serioze kardiovaskulare, të tilla si infarkti i miokardit, dështimi i zemrës, vdekja e papritur dhe insuficienca renale".
"Në gjendjen e tanishme të njohurive shkencore, kjo lidhje përfaqëson vetëm një hipotezë të studimeve dhe hulumtimit, e cila nuk duhet ta bëjë absolutisht pacientin hipertensiv të ndërpresë terapinë antihipertensive, thotë prof. Claudio Ferri, ish-presidenti i SIIA-s. Si të gjitha hipotezat, edhe kjo lidhje e supozuar duhet t'i nënshtrohet shqyrtimit të hulumtimeve klinike, të cilat SIIA do t'i mbështesë me forcë dhe vendosmëri si në Itali, ashtu edhe ndërkombëtarisht, përmes bashkëpunimeve, me qëllim të mbledhjes së të dhënave shkencërisht të besueshme në kohën më të shkurtër të mundshme".