News

shk202023

Medikamenti i diabetikëve përdoret për dobësim. Prof. dr. Florian Toti: Nuk mund të përdoret pa rekomandimin e mjekut. Ka efekte anësore

Mjekët endokrinologë japin alarmin se një medikament që jepet për trajtimin e pacientëve me diabet dhe atyre obezë po keqpërdoret pa recetë nga vajza dhe djem të rinj, dhe jo vetëm, të cilët duan të dobësohen. Bëhet fjalë për medikamentin ozempic, për të cilin është krijuar mungesë tregu. Mjekët thonë se ky medikament ka efekte anësore dhe nuk mund të përdoret nga çdo person.

"Ky medikament nuk duhet të përdoret në këtë mënyrë. Ai vërtet të dobëson, por duhet të merret patjetër me rekomandimin e mjekut pasi në momentin që e ndërpret jo vetëm i merr sërish ata kilogramë, por ka efekte të shumta anësore. Pacientit që e përdor i merret më parë një anamnezë, pasi ky medikament rrit riskun për karcinomën medulare të tiroides, por duhet përjashtuar nëse pacienti ka të afërm që vuajnë nga tumori i tiroides.

Ai rrit incidencën e pankreatitit akut, si dhe mund të rrisë riskun për gurë në tëmth", thotë mjeku endokrinolog prof. dr. Florian Toti.

Por, prof. Toti thekson se në këtë rast, përdorimi masiv i këtij medikamenti ka shkaktuar dy probleme të mëdha.
"E para, pacientët të cilët e kanë të domosdoshëm dhe që janë trajtuar me këtë medikament, po  e ndërpresin se nuk po e gjejnë dot; janë krijuar mungesa jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në tregjet europiane. E dyta, ai ka efekte anësore jo te pak pacientë. Për të rënë në peshë, duhet të ndryshojë stili i jetesës, të shtohet aktiviteti fizik dhe të ushqehen shëndetshëm. Nuk është zgjidhja ky medikament", thekson prof. dr. Toti.

Sipas profesor Totit, ky injeksion po aplikohet në shumë klinika private të cilat e kanë siguruar atë në mënyrë të jashtëligjshme ose jo, pa e llogaritur dëmin që shkaktojnë te pacientët që kanë si qëllim vetëm dobësimin. Mjekët endokrinologë iu kërkojnë strukturave shëndetësore të ndërhyjnë menjëherë për të frenuar këtë fenomen pasi po dëmtohen të dyja palët; nga njëra anë pacientët me diabet që nuk e gjejnë më në treg dhe nga ana tjetër pacientët e shëndetshëm që rrezikohen nga efektet anësore.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>