dhj192022
Të rinjtë që i mbijetojnë kancerit janë më të rrezikuar për sëmundje kardiovaskulare
Adoleshentët dhe të rinjtë të cilët arrijnë t'i mbijetojnë kancerit, janë më të rrezikuar për të përjetuar efekte të lidhura me trajtimin që kanë marrë për sëmundjen e tyre më vonë në jetë, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, veçanërisht nëse janë meshkuj, me ngjyrë ose duhanpirës, sipas një studimi të botuar në Cancer.
"Ne identifikuam disa faktorë rreziku sociodemografik dhe të modifikueshëm, të lidhur me rrezikun që kanë këta pacientë për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare", tha autorja kryesore Amy Berkman nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin Duke në Durham, SHBA.
Studiuesit analizuan të dhënat nga National Health Interview Survey 2009-2018, e cila mbledh informacion mbi një gamë të gjerë temash shëndetësore përmes intervistave personale me familjet amerikane. Në studim u përfshinë përgjigjet e 4,766 adoleshentëve dhe të rinjve të mbijetuar nga kanceri dhe 47,660 njerëz pa histori kanceri.
Ekspertët vunë në dukje se rreziku për sëmundje kardiovaskulare ishte dukshëm më i lartë te të mbijetuarit nga kanceri, krahasuar me grupet kontrollit kur u mor parasysh gjinia, raca/etnia, të ardhurat, arsimimi, statusi i duhanpirjes dhe aktiviteti fizik. Angazhimi në çdo aktivitet fizik me intensitet të moderuar deri në të fuqishëm lidhej me një ulje të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare.
"Këto gjetje theksojnë rëndësinë e mbikqyrjes afatgjatë të adoleshentëve dhe të rinjve pas trajtimit të kancerit për të siguruar fillimin e ekzaminimeve të duhura për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe për të promovuar ndryshime të shëndetshme të sjelljes, siç është rritja e aktivitetit fizik, të cilat ndikojnë në rezultatet afatgjata kardiovaskulare", përfundojnë autorët.
Cancer 2022. Doi: 10.1002/cncr.34505
http://doi.org/10.1002/cncr.34505